Dëshmitari Bogolub Portiq (majtas në këmbë) në gjykimin e Sërba Andiq (djathtas në këmbë). Foto: Kallxocom

Dëshmitari nga Gorazhdeci tregon si e gjeti në oborr thirrjen që të kryhen grabitje për t’i fajësuar shqiptarët

Një dëshmitar nga Gorazhdeci, një fshat me shumicë serbe në Pejë, i tregoi sot gjykatës se si e gjeti në oborrin e tij një pamflet në të cilin serbët lokalë ftoheshin që të kryenin grabitje nëpër shtëpitë e fshatit në mënyrë që më pas, për këto veprime, në sytë e ndërkombëtare të fajësoheshin shqiptarët.

Bogolub Portiq dha dëshminë në gjykimin e Sërba Antiqit i cili nga Prokuroria Speciale po akuzohet për veprime kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ai e konfirmoi se e kishte gjetur në oborr një pamflet në të cilin në gjuhën serbe u bëhej thirrje qytetarëve serbë që “armët t’i sjellin nga Serbia” dhe që “grabitjet duhet të vazhdojnë që në sy të ndërkombëtarëve të dalin fajtorë shqiptarët”.

Përveç kësaj, Antiq po akuzohet edhe për mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Në fillim të dëshmisë, Portiq tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Polici.

Ndërsa për gjykatën rrëfeu edhe një herë mëngjesin e ditës 12 korrik 2018, në të cilën në shtëpinë e tij në fshatin Gorazhdec të Pejës i kishte shkuar një dërgesë bashkë me një pamfletë.

“Në mëngjes në derën e oborrit kam gjetur një pamfletë në të cilën lihej porosia që Milani të sjellë armë nga Serbia, ndërsa dhëndrri im i dytë dhe djali im ta organizojë rininë që edhe më tej të vazhdohet me vjedhje dhe grabitje, që në sy të organizatave ndërkombëtare të bie që shqiptarët kanë kryer këto vepra”.

Tutje dëshmitari deklaroi se pasi kishte marrë pamfletin me porosinë e tillë ishte frikësuar dhe kishte thirrur anëtaret e familjes për ta diskutuar me ta se kush ka mundur me qenë dërgues i kësaj pamflete.

Ndërsa kur u pyet nga prokurorja e rastit Fikrije Zejnullahu se si dhe kur ishte njohur me tani të akuzuarin Andiq, dëshmitari Portiq deklaroi se me të akuzuarin Sërba Andiq njihet që nga gushti i 2016 përmes dhëndërrit të tij Sasha Petrovic.

Në lidhje me pamfletin e cila përmbante porosinë për kryerjen e krimeve dhe lënien e fajit shqiptarëve  dëshmitari Portiq u pyet nga i akuzuari Andiq se “a kam qenë unë në shtëpinë tuaj dhe a e di ku është shtëpia juaj”, dëshmitari u përgjigj se “jo, nuk e dini”.

I pyetur nga gjykatësi Valon Kurtaj nëse e dinte se kush ia kishte lënë porosinë në derën e shtëpisë, dëshmitari Portiq u përgjigj nuk e dinte këtë, ndërsa në pyetjen e radhës të po të njëjtit gjyqtar se “a mendoni që i akuzuari (sërba Andiq) e ka lënë porosinë në derën e shtëpisë tuaj” dëshmitari prapë u përgjigj se “Jo”.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Sërba Andiq se që nga viti 2017 në vazhdimësi ka mashtruar shumë qytetarë, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet. Ai akuzohet gjithashtu se në emër të punësimit të tyre u kishte marrë para të dëmtuarit R.R. në shumën prej 7,000 euro, të dëmtuarit S.R. në shumën prej 2,000 euro, si dhe të dëmtuarit M.R., në shumën prej 5,000 euro.

E në lidhje me këtë pikë të aktakuzës dëshmitari Portiq deklaroi se arsyet e takimit me tani të akuzuarin Andiq ishin për punësimin e djalit të tij Nemanjës, por tha se për atë punësim nuk kishte paguar asgjë.

“Më është dashur ta rregulloj çështjen e punësimit të djalit, ai më ka thënë se deri sa të punësohet djali ai do t’i heqë shpenzimet sepse paga ime ishte vetëm 340 euro”, tha dëshmitari Portiq.

Ai tha se për punësimin e djalit, të akuzuarit ia kishte dorëzuar dokumentet e kërkuara, dhe se për të fundit herë ishin takuar në vitin 2017 ku dëshmitari e kishte pyetur Andiqin se kur do të fillonte punën djali i tij ndërsa i akuzuari kishte thënë “nuk e di, të shohim”.

Dëshmitari Portiq deklaroi se prej dhjetorit të vitit 2017 më nuk kishte komunikuar me Andiqin.

Në fund, kur u pyet se a ndihet i dëmtuar, Portiq deklaroi se nuk ndihet i dëmtuar në aspektin financiar.

Organi i ndjekjes e akuzon Sërba Andiqin se më 12.07.2018, nga posta e Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës i ka dërguar një pako të dëmtuarit, R.R., në të cilën gjendej një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” e kalibrit 7.65 mm, prodhim çekosllovak, pa numër serik, me një karikator, me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit tramadol, 5 pako me ampula të llojit trodon, 18 pako me tabletë bensedin dhe një pamfletë e formatit A4 me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobodilacke Vojske Kosova i Metohije”, që në shqip do të thotë “Komanda e lartë e Ushtrisë Çlirimtare për Kosovën dhe Metohinë”.

Sipas Prokurorisë Speciale, përmbajtja e saj bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serbë si M.R., B.P., S.P., M.N., M.P. dhe D.P., që të bartnin armë nga depot e ndryshme të Mitrovicës me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdoret dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Por Sërba Andiq u deklarua i pafajshëm në akuzat për të cilat ngarkohet.

Prokuroria Speciale pretendon se i akuzuari Sërba Andiq që nga viti 2017 në vazhdimësi ka mashtruar shumë qytetarë, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet, dhe se në emër të punësimit të tyre u kishte marrë para të dëmtuarit R.R. në shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit S.R. në shumën prej 2000 euro, si dhe të dëmtuarit M.R., në shumën prej 5000 euro.

Aktakuza thotë se ai u kishte marrë para edhe personave tjerë duke u premtuar për punësimin e tyre por për shkak të shumave të larta ata nuk kanë pasur mundësi t’ia japin ato.

Poashtu i akuzuari Andiq më 12.07.2018 akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, e ka dërguar përmes postës së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan.

Aktakuza thotë se Repanoviq armën e pranuar e kishte lajmëruar në polici e cila e kishte konfiskuar atë.

Procedura në fazën paraprake lidhur me këtë çështje penale ishte zhvilluar në Gjykatën e Gjilanit.