Dëshmitari në pushim, dështon seanca për narkotikë

Pushimi vjetor i dëshmitarit ka bërë që seanca për posedim të substancave narkotike të shtyhet.

Lum Halimaj po akuzohet për posedim të marihuanës në sasi prej mbi 53 gramësh.

Sot, në këtë gjykim ishte paraparë të dëshmonte Valon Bajqinca, i cili sipas gjykatës ishte në pushim vjetor.

Në bazë të prokurorisë, i akuzuari Lum Halimaj në tetor të vitit 2018 në lagjen “Ulpiana” ishte duke i dhënë diçka disa personave tjerë, të cilën e kishte marrë nga një qese e plastikës aty pranë tij.

I njëjti sipas aktakuzës është ndaluar nga policia dhe aty afër tij është gjetur një qese më e madhe e plastikës në të cilën ka pasur 20 qese të vogla të plastikës, të mbushur me substancë narkotike me peshë të përgjithshme 53.4 gramë e cila pas ekzaminimit është vërtetuar se është e llojit “marihuanë”.