Rasti 'Stenta 2'.

Dëshmitari në gjykimin ‘Stenta 2’: Mjeku më tha se nëna do të vdiste brenda 6 orëve, ende është gjallë

 

Në gjykimin ndaj 39 kardiologëve, i njohur si rasti “Stenta 2”, vazhdoi me rrëfimin e dëshmitarit Ukshin Kelmendi.

‘Stenta 2’ është proces gjyqësor kundër 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit.

Dëshmitari Ukshin Kelmendi, deklaroi se nënën e tij Dushe Kelmendi, pasi kishte probleme shëndetësore vëllai i tij e kishte dërguar në Spitalin Regjional të Gjakovës, aty e kishte ndalur doktori Luan Pozhari.

“Nëna ime Dushe Kelmendi pasi e kanë lëshuar këmbët vëllai e ka dërgu në spitalin regjional të Gjakovës, dhe doktor Luan Pozhari e kishte ndalur në spital”, ka rrëfyer për gjykatën dëshmitari Kelmendi.

Pasi e kishte kontrolluar nënën e dëshmitarit Ukshin Kelemndi, doktorët Luan Pozhari dhe Amir Ilazi u kishin thënë se nëna e tyre do të vdiste brenda 6 orësh.

“Doktorët Luan Pozhari dhe Amir Ilazi, kanë thënë që nëna ime do të vdiste brenda 6 orësh sepse kishte infarkt”, tha dëshmitari Kelmendi.

Dëshmitari rrëfeu se pasi për nënën dëgjoi se kishte infarkt nga vëllai i tij kishte kërkuar shumën prej 5 mijë eurove, por pasi i njëjti ishte mjek në Gjermani pasi kishte parë rezultatet i kishte thënë që nënën ta dërgojë në shtëpi pasi nuk kishte diçka të rrezikshme.

“Pastaj unë nga vëllai i cili jeton jashtë Kosovës i kam kërkuar 5 mijë euro, i cili është mjek në Gjermani dhe pasi i tregova terapinë e nënës ai më tha që dërgoje nënën në shtëpi se nuk ka asgjë”, ka rrëfyer ai.

Gjithashtu dëshmitari Kelmendi tregoi për gjykatën se atë natë që kishte qëndruar nëna e tij në Spital i ishin bërë analiza dhe një mjek koleg i të akuzuarit Pozhari identitetin e të cilit refuzoi ta tregojë në gjykatë pasi kishin dalë rezultatet i kishte thënë se nuk është ajo çfarë ka thënë Pozhari “nënën e ke mirë”.

Tutje dëshmitari tregoi se të nesërmen në mëngjes kishte dashur ta nxirrte nënën nga spitali me arsyetimin se nuk kishte gjetur të holla për operimin e saj, e duke mos dashur ta nxirrte kolegun e mjekut Pozhari, i cili i kishte thënë se nënën e ke mirë.

Dëshmitari Kelmendi rrëfeu se doktor Pozhari kishte refuzuar ta lëshonte pacienten Dushe Kelmendi nga spitali pa i bërë të paktën një inçizim.

“Luan Pozhari ka thënë se nënës do t`ia bëjmë një inçizim se nuk mundemi me lëshu kështu”, tha dëshmitari.

Pastaj Kelmendi rrëfeu se inçizimin e kishin bërë në një ordinancë private në dalje të Prizrenit, ku kishin shkuar pas veturës se të akuzuarit Pozhari.

“E di që Doktor Luan Pozhari me veturën e tij ishte para meje e unë vozitja veturën time pas tij, dhe kemi shkuar në një spital privat që gjendet në dalje të Prizrenit, por emri i ordinancës nuk më kujtohet”, tha dëshmitari për gjykatën.

Dëshmitari Kelmendi, tregoi se për inçizim kishte paguar 150 deri 250 euro.

“Në atë spitalin privat e kemi bërë një inçizim, për atë fotografim-inçizim kam paguar 150 deri ne 250 euro”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me rezultatin e inçizimit dëshmitari tregoi se doktor Luani kishte thënë se “nuk është e mundur me pas infarkt e mos me dëmtu zemrën fare”.

Pas një kohe kur dëshmitari e kishte dërguar nënën për kontroll te doktor Zeqë Kuçi, ai i kishte thënë se “kjo zemër s`ka pas nevojë mi ngjitë stenta, sepse zemra e nënës është e rritne”.

Në fund dëshmitari Kelmendi tha se e ndjen vetën të dëmtuar për shkak të terrorit që i ishte shkaktuar nga mjekët kur i kanë thënë se nëna do t’i vdesë brenda 6 ore edhe pse asaj nuk i kanë ngjitur asnjë stentë.

Poashtu gjykata ftoi të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit edhe pensionistin Ziqirja Maxhuni, i cili erdhi në gjykatë me paterica dhe pasi gjykata e lexoi dëshminë e tij e pa se i njëjti nuk mund të dëgjohet dëshmitar në këtë rast pasi stentimin ai e kishte bërë në vitin 2007, e jo në kohën kur po akuzohen kardiologët.

Në vazhdim pritet të japin dëshmi Bujar Agani dhe Dak Tanushi dhe Hajrush Krasniqi.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë, i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.