Rasti 'Stenta 2'.

Dëshmitari në gjykimin ‘Stenta 2’: Mjeku më tha se do të vdes për 1 orë e gjysmë!

Gjykimi i kardiologëve i njohur si “Stenta 2”, vazhdoi me rrëfimin e dëshmitarit Bujar Agani.

‘Stenta 2’ është proces gjyqësor kundër 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit.

Dëshmitari Bujar Agani deklaroi se kishte dhënë  deklaratë para prokurorit Besim Kelmendi dhe se qëndron pranë asaj deklarate.

Dëshmitari Agani rrëfeu para gjykatës se pasi kishte probleme shëndetësore kishte shkuar në shtëpinë e shëndetit në Pejë e pastaj nga aty me udhëzim kishte shkuar në Spitalin Regjional të Pejës.

“Kisha probleme shëndetësore momentale dhe kam shkuar në shtëpinë e shëndetit në Pejë e aty më dhanë udhëzim për në Spitalin Rajonal të Pejës, atë natë mjek kujdestar ishte Elfedin Muhaxheri”, tha dëshmitari Agani.

Ai tregoi në spitalin Regjional të Pejës i ishte bërë EKG-ja, e kishin vendosur në repartin koronar, i kishin dhënë edhe një injeksion e pas vendosjes së katedrës urinare i kishte humbur vetëdija.

Ai gjithashtu tregoi edhe se doktori Muhaxheri, i cili gjendet në mesin e të akuzuarve në këtë rast, u kishte thënë familjarëve të tij se pacienti po numëron orët e fundit të jetës.

“Mjeku më ka thënë se kam me vdekë për 1 orë e 30 minuta”, tha dëshmitari Agani.

Ai tregoi se i akuzuari Elfedin Muhaxheri i kishte pyetur se a do të shkojnë në një spitalin privat në Prishtinë apo në një tjetër Gjakovë për ta bërë një kontroll.

“Pastaj doktor Efedini ju ka thënë familjarëve të mi se a doni me shku në spitalin privat në Prishtinë emrin e të cilit më vonë e kam kuptuar se është Eda apo në Gjakovë me ba një kontrollë”, tha ai.

Pastaj ai tregoi se një autoambulancë e spitalit “EDA” e kishte marrë në spitalin rajonal të Pejës.

Tutje dëshmitari Agani rrëfeu se pasi e kishin vendosur në spitalin “Eda” në mëngjes në orën 5:30 e kishte bërë stentimin djali i doktorit Borche Petrovcki i cili kishte ardhur nga Shkupi.

“Në spitalin privat “Eda” më janë vendosur 2 stenta në shumë prej 10,500 euro”, tha dëshmitari Agani.

Dëshmitari deklaroi se bëri kërkesë për rimbursim në Ministrinë e Shëndetësisë por nuk ishte realizuar sepse nuk kishte pasur udhëzim nga QKUK në Prishtinë për të shkuar në spital privat.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.