Foto: Kallxo.com

Dëshmitari në gjykimin “Stenta 2”: mjekët më kanë shpëtuar jetën

Gjykimi i 39 kardiologëve i njohur si “Stenta 2” vazhdoi të martën me rrëfimin e dëshmitarit Dak Tanushi.

‘Stenta 2’ është procesi gjyqësor ndaj 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit.

Dëshmitari Dak Tanushi deklaroi se kishte dhënë deklaratë më 17 tetor 2017 në Prokurori dhe se qëndron pranë asaj deklarate.

Ai rrëfeu para gjykatës se pasi kishte probleme shëndetësore në vitin 2014 kishte shkuar në shtëpinë e shëndetit në Klinë ndërsa mjekët aty i kishin dhënë udhëzimin për në Spitalin e  Pejës.

“Në shtëpinë e shëndetit në Klinë mjeku i cili më ka kontrolluar pasi e ka bërë EKG-në më ka thënë  se një arterie e zemrës është e mbyllur,” tha Dak Tanushi.

Ai tha se ishte pa vetëdije kur ishte transferuar në spitalin e Pejës.

“Pastaj  më kanë dërguar me autoambulancë në Spitalin e Pejës. Atje isha pa vetëdije,” tha dëshmitari.

Ai shtoi se nga spitali i Pejës e kishin dërguar në spitalin “Eda” në Prishtinë dhe aty i kishin vendosur stentën.

“Për vendosjen e kësaj stente axha im ka paguar 3,300 euro,” tha ai.

Kur u pyet nga prokurorja e rastit Florie Shamolli pse kishte shkuar në Prokurori, dëshmitari Tanushi tha se arsyeja pse ishte paraqitur është se “mjekët më kanë shpëtuar jetën”.

“Unë kam shkuar në Prokurori për të falënderuar mjekun nga Shkupi, emri i të cilit nuk më kujtohet”, tha Tanushi

Ai gjithashtu tregoi se nuk kishte kërkuar kthimin e parave në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë, i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.