Dëshmitari në gjykimin ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit përmend Kadri Veselin

Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, të cilët nga prokuroria po akuzohen për veprën penale mashtrim në bashkëkryerje janë ballafaquar me administrimin e provave materiale në seancën e sotme gjyqësore ndaj tyre.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Muharrem Hajdari, i cili ishte  propozuar nga Prokuroria e Prishtinës. Ai në deklaratën e tij të dhënë në Gjykatë tha se: “Kadri Rexhepi dhe në deklaratat e tjera kam cituar, se ty Rrahim Hashimi të ka prezantuar si njeri me ndikim në politikë, gjithashtu dhe udhëheqës i SHIK-ut dhe punëve të Kadri Veselit dhe Ekrem Likën si dhëndër të Kadri Veseli“.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarit Muharrem Hajdari, Gjykata vazhdoi me administrimin e provave materiale, të cilat prova në shumicën e rasteve, u kundërshtuan nga i akuzuari Rrahim Hashimi.

Sipas gjyqtares së vetme gjykuese, Medie Bytyqi, shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë rast pritet të vazhdojë në sesionin e pasdites, me shikimin e USB-së, e cila përmban inçizime, provë kjo e propozuar nga prokurorja e çështje Rukije Sheshivari, lidhur me atë se a i ka marrë i akuzuari Rrahim Hashimi shumën e të hollave që pretendon Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të 2011 e deri në korrik të 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiologe ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290.810.00 euro.

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim

 

.