Foto: Kallxo.com

Dëshmitari identifikon të akuzuarin për vrasjen e shqiptarëve në lagjen e Pejës

Një i mbijetuar nga vrasjet dhe largimet e shqiptarëve në Pejë që ndodhën më 29 mars të vitit 1999 deklaroi se i akuzuari për krime lufte, Zoran Gjukiq, është personi që ka vrarë dy civilë shqiptarë në ditën kritike.

Shaban Kaliqani fillimisht u pyet nga Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Zoran Gjukiq, nëse personi që e kishte identifikuar në fotografi Polici ishte i njëjti me personin që gjendet këtu si i akuzuar”.

Dëshmitari Kaliqani deklaroi se “atë ditë fotoja ishte me gjysmë trupi dhe mua më thanë se emri i tij është Zoran Gjukiq, por tani nuk mund të them që është ky, pasi janë 20 vite në pyetje, nuk mund të them sigurt asgjë”.

Ndërsa kur u rimor në pyetje nga prokuroja Habibe Salihu, dëshmitari Shaban Kaliqani deklaroi se “Hilmiun e ka vrarë Miniqi, ndërsa Bashkimin dhe Skenderin i ka vrarë Zorani që e kam identifiku në fotografi”.

Kishin qenë dy fotografi që i ishin prezantuar dëshmitarit në Polici gjatë procesit të hetimeve: në njërën ishte një person tjetër me emër e mbiemër të njëjtë me të akuzuarin.

Gjukiq po akuzohet për grabitjen, dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen “Kristal” të Pejës.

Në seancën e datës 19 dhjetor 2019, Shaban Kaliqani i mbjetuari i krimeve në lagjen “Kristal” të Pejës kishte rrëfyer për gjykatën se si u vranë para syve të tij Hilmi Zeqiraj, Skender Zeqiraj, Bashkim Berisha dhe Riza Mamaj me datën 29 mars 1999.

‘Ky ma mori vëllain’: Dëshmitarja qan kur kujton momentin si ia vranë vëllain ushtarët serbë në Pejë

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjukiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.

Dëshmitari Kaliqani u pyet nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Kujtim Kërveshi se si kishte ndodhur vrasja dhe a ishte i njëjti person i uniformuar ai që kishte vrarë Hilmiun, Skenderin, Bashkimin dhe Riza Mamajn.

E dëshmitari Kaliqani deklaroi se “Hilmiu u vra para se me na qitë prej shpisë, e jashtë oborrit ishte gruaja dhe fmijët e tij”.

Dëshmitari në polici kishte deklaruar se nëse i sheh në fotografi personat që kanë kryer krime lufte do të mund t’i identifikonte, e aty kishte identifikuar edhe personin me emrin Nebojsha Miniq.

“Ju keni deklaruar se një ushtar e ka vrarë Hilmiun, dhe një tjetër ushtar i ka vra Bashkimin dhe Skenderin në shtëpinë e Asllanit. A është e vërtetë kjo?”, e pyeti dëshmitarin avokati i të dëmtuarve, Kujtim Kërveshi.

Kaliqani tregoi se kur i kishin larguar nga shtëpia e familjes Zeqiri ku kishte mbetur i vrarë Hilmiu, në rrugë një person me uniformë serbe e kishte ndalur dhe e kishte kapur për fyti dhe me zë të lartë kishte bërtitur se “çka me ba me ta”, ndërsa personi tjetër i uniformuar që kishte mbetur brenda shtëpisë, Miniqi, pranë të vrarit kishte thënë “lëshoji se kanë dhënë diçka”.

“Si kam dalë nga dera e kam pa Gjurën, ai më ka njoftë mirë, ai më ka kapur për fyti, edhe me zë të lartë ka thënë “çka me ba me ta” dhe ai që ishte në oborr Miniqi është përgjigj “lëshoji se kanë dhënë diçka”, tha dëshmitari Shaban Kaliqani.

Tutje dëshmitari u pyet se cili ishte roli i këtij personi të quajtur Miniq, ai deklaroi se “sipas sjelljes së tij kishte rol autoritativ”.

Poashtu dëshmitari u pyet se “kur ishin  vrarë të ndjerët Skender Zeqiri dhe Bashkim Berisha në shtëpinë e Asllanit a ka qenë prezent edhe personi i uniformuar që kishte vrarë Hilmiun” ai u përgjigj se nuk kishte qenë personi që kishte vrarë Hilmiun prezent gjatë vrasjes së Skenderit dhe Bashkimit.

E më pas u pyet edhe një herë nga avokati Kërveshi se “a nënkupton kjo se personi që vrau Hilmiun nuk është i njëjti person që vrau edhe Skenderin dhe Bashkimin” dëshmitari Kaliqani u përgjigj se “jo nuk është personi i njëjtë”.

Gjithashtu dëshmitari Shaban Kaliqani tregoi se “për emrat Zoran Gjukiq dhe Nebojsha Miniq, kam dëgjuar për herë të parë në KMDLNJ nga tani i ndjeri Tahir Dema”.