Dëshmitari i pestë tregon se pasi ushtarët e UÇK-së ia morën të afërmit shkoi pas tyre për të kuptuar çfarë ka ndodhur

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Gjykatën Speciale, dëshmitari i pestë i Prokurorisë ka përfunduar dëshminë për sot.

Pritet që dëshmitari të paraqitet edhe në seancën e ardhshme.

Pas shumë seancave të mbyllura për publikun dëshmia e dëshmitarit të pestë ka qenë herë pas here e hapur për publikun.

Dëshmitari me numër 3165 ka rrëfyer se pasi pjesëtarë të  UÇK-së i morën të afërmit e tij ai shkoi prapa tyre që të kuptojë se çfarë ka ndodhur.

Ky dëshmitar po ashtu ka pretenduar se më 24 korrik 1998 u bashkua me UÇK-në. Ai ka deklaruar se ka qepur uniformën e tij, duke mohuar ekzistencën e ndonjë letre ose kartele që tregon anëtarësinë e tij.

Ai mohoi t’i ishte dhënë ndonjë kartelë apo letër ku thuhej se ka qenë anëtar në UÇK.

Dëshmitari i mbrojtur më tej ka treguar se kur iu bashkua UÇK-së armën e kishte marrë nga një bashkëfshatar.

Dëshmitari ka pohuar se edhe uniformën e ka blerë vetë.

“E kam blerë vetë se nuk ka pasur. E kam blerë vetë si kamuflazh e kena paguar vetë… Blejshim copa edhe i qepshim”- ka thënë ai.

Ky fakt për avokatin nxiti reagim për ta pyetur  se ata personat që kyçeshin në UÇK nuk i jepej dokument, kjo tregonte se çdonjëri mund të blente copë dhe ta bënte uniformën edhe pa qenë pjesë e UÇK-së.

“Nuk besoj që dikush ka blerë uniformë pa qenë i kyçur”- mohoi dëshmitari.

Në senacë të hapur, dëshmitari 3165 ka deklaruar se në veturën ku kanë qenë familjarët e tij, kishte parë personin (numër 1) dhe personin tjetër (numër 2), kurse kur kishte arritur tek B, jashtë veturës kishte parë numrin 2 dhe 3.

Më tej marrja në pyetje e dëshmitarit ka vazhduar në seancë private.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.