Dëshmitari i mbrojtur flet për babanë polic deri më 1997 dhe ngjarjet e '98 në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, është dëgjuar në seancë të mbyllur përveç një pjese të shkurtër ku seanca ka vijuar e hapur për publikun.

Në Dhomat e Specializuara të Hagës po mbahet gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i njohur si Komandant “Ujku”, i akuzuar për krime lufte.

Shala ngarkohet për krimet që sipas Prokurorisë u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, në Shqipëri, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Të hënën, dëshmitari identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ka deklaruar se babai i tij kishte shërbyer si oficer në polici deri në vitin 1997.

Dëshmitari ka pohuar se më pas ai e kishte ndaluar punën.

“Për shkak të rrethanave të luftës, dmth shteti s`po e di a me nis me punën e brendshme i cili e ka qit në pension të dhunshëm për punë. Se veç ishte një situatë jo e mirë apo qëllimet e tyre nuk e di, rasti i Xhorxheviq i cili ka qenë i dënuar në këtë gjykatë për krime lufte…”- ka shpjeguar ai.

Sipas dëshmitarit, babai iu largua nga puna pasi ai ishte shqiptar.

“Prokurori: A e di përse u hoq nga puna?- dëshmitari: Mendoj se ka qenë shqiptar”- tha dëshmitari.

Më tej dëshmitari ka theksuar se babai i tij ishte i njohur në komunitet dhe nuk ka qenë i akuzuar asnjëherë për gjëra kriminale apo jashtëligjore.

Dëshmitari i mbrojtur më tej ka përshkruar ndikimin e babait të tij si oficer në komunitet dhe familje.

“Në komunitetin ku kemi banuar gjithçka ka qenë në rregull, domethënë ka qenë në mardhënie të mira, ka pas raporte të shkëlqyeshme me drejtorë të shkollave, personat që kanë qenë përgjegjës për rrethin-komunën mardhënie të shkëlqyeshme dhe mbrojtjen e atij rajoni ku nuk është bë asgjë joligjore, asgjë jashtë ligjit s`ka lënë që të bëhet dhe më pas ka pasu shkarkimi i tij i dhunshëm në vitin ’97”- ka deklaruar ai.

Dëshmitari ka sqaruar se babai i tij nuk ka qenë aktiv në politikë po ai dhe familja e tij kanë qenë përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Aktiv nuk ka qenë, por si familje por dhe babai im e ka përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që e ka udhëheqë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova”- shpjegoi dëshmitari.

Dëshmitari më tej ka përshkruar se çfarë ka ndodhur në maj të vitit 1998.

“Sa më kujtohet kanë ardhë dy persona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Jabllanica, Hamëz Ibrahimaj dhe një person tjetër dhe ai Ibrahimaj, Nasuf Ibrahimaj për herën e parë dy persona dhe kanë fol me vëllanë gjoja për dorëzimin armëve që i kemi pas për mbrojtjen e fshatit. Vëllai i ka thënë se baba nuk është këtu. Me ata dy persona unë kam dalë jam taku tek rruga e shtëpisë sime dhe më kanë thënë: ‘Armët duhet m`i dorëzu’. Unë i kam thënë armët që i kemi janë për mbrojtjen e fshatit dhe nuk është e arsyeshme m`i dorëzu. ‘ Ky është urdhri i Nahit ibrahimajt’ – kështu më kanë thënë”- deklaroi dëshmitari.

Pas kësaj Gjykata ka dhënë një pauz.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Pjetër Shala pritet të ballafaqohet me dëshmitarët e Prokurorisë