Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: I akuzuari m’i kërkoi 60 mijë euro për dërgimin e kushërinjve në Amerikë

Zef Colaj, Bekim Krasniqi e Miftar Ukshinaj kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës për t’u gjykuar për kontrabandim me migrantë.

Sot ka dëshmuar i dëmtuari Zef Dedaj.

Ai tregoi se si ishte marrë vesh me tani të akuzuarin Zef Colajn për t’i dërguar në Amerikë 3 kushërinjtë të tij.

Dëshmitari fillimisht tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Polici.

“Këta dy nuk i njoh”, tha ai, duke aluduar në të akuzuarit Miftar Ukshini dhe Bekim  Krasniqi. “Ndërsa Zef Colajn e njoh mirë”, shtoi ai.

“’Për  Zef Colajn më ka tregu një person nga Prizreni me emrin Nikollë, mbiemrin nuk ia di. Kam pasë interes me i çu për Amerikë kushërinjtë e mi, 2 vajza dhe 1 djalë. Me Nikollën kemi ardhë në Prishtinë dhe më tha se ma gjen personin dhe jemi takuar me Zef Colin sepse ata njiheshin mes vete”, shtoi i dëmtuari.

“Kur jemi takuar me Zef Colajn, Nikolla u tërhoq dhe ka mbetur veç Zefi. I tregova për hallin që kisha dhe Zef Colaj më  ka premtuar që t’i çoj kushërinjtë në Amerikë”, deklaroi dëshmitari Dedaj.

Dëshmitari tregoi se Zef Colaj i ka kërkuar 60 mijë euro për tre persona, të cilat do të duhej t’ia jepte pasi ata të mbërrinin në Amerikë.

‘’Marrëveshja ishte që  në fillim të paguaja 1.200 euro për start, për nevoja të tija, që të ecë puna. Këto para ia kemi dhënë bashkë me Danielin, ndërsa Kristjani ka qenë i pranishëm si dëshmitar kur ja kemi dhënë paret Zef Colajt”, ka shtuar i dëmtuari në dëshminë e tij.

“Kur e kam thirrur në telefon më është përgjigjur se gjendet jashtë shtetit dhe i kam thënë se kudo që të jesh ti do të vij”, shtoi ai.

Ai tha se pas një viti që ia ka dhënë paratë e ka kuptuar se nuk ishte rendi për t’i rregulluar punët – që kushërinjtë të shkonin në Amerikë.

“Dhe Zefi më ka thënë mos më thirr më në telefon sepse kjo do të përfundojë ashtu siç vendos gjyqi”, tha dëshmitari.

“Sepse kur i kam kërkuar të hollat atëherë Zef Colaj ra në burg dhe  nga atëherë s’kam pasë lidhje me të”, tha po ashtu dëshmitari.

“Zefi ma ka shkatërru familjen, më ka prishë me vllazni të cilët çdo ditë kanë ardhë e më kanë pyetur çka është ka bahet, kur po bëhen punët me shku”, shtoi Zef Dedaj.

Gjithashtu dëshmitari deklaroi se ndihet  mashtruar nga i akuzuari Zef Colaj.

Seanca e radhës u caktua për datën  8 janar.

Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohen për veprën penale kontrabandim me migrantë.

Në bazë të aktakuzës prej muajit dhjetor 2016 deri në muajin maj të vitit 2017, Bekim Krasniqi duke qenë shofer i autobusit të kompanisë “B. T.” me seli në Podujevë, që mbante linja të rregullta nga Kosova për në shtetet e Europës dhe duke i shfrytëzuar këta autobusë, i ka mundësuar kalimin e migrantëve në kufirin Serbi-Hungari, përmes rrugëve ilegale duke i prezantuar pasaportat e ndryshme policisë dhe duke bashkëpunuar me ta në këtë drejtim.

Po ashtu të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Zef Colaj, kanë shfrytëzuar vetura me qira për t’i dërguar migrantët nga Kosova në Suboticë- Serbi, ndërsa nga Serbia kanë shfrytëzuar autobusë që kanë linja të rregullta për shtete të Evropës dhe për këtë të dëmtuarit paguanin mesatarisht nga 2.000 – 3.000 euro për person.