Dëshmitari 'është n’besë', shtyhet gjykimi për vrasje të rëndë

Seanca e paraparë që të mbahej sot lidhur me vrasjen mizore të tashmë të ndjerit Shaip Krasniqi, për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 eurove ka dështuar që të mbahet.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e ekspertit të mjekësisë ligjore, si dhe mungesa e dëshmitarëve, në mesin e  tyre edhe vëllai i të akuzuarit, Nijazi Ahmeti.

Nazmi Mustafi, avokat i të akuzuarit, në gjykim deklaroi se dëshmitari në fjalë nuk mund të vijë për shkak se nuk ndjehet i sigurt.

“Nijazi Ahmeti e ka pranuar ftesën por nuk mund të vijë në gjykim pasi që nuk ka siguri nga ana e palës së dëmtuar dhe nuk ka marrë ‘besë’”, deklaroi ai.

Tutje, avokati Mustafi kërkoi që përmes policisë të bëhet sigurimi i pranisë së dëshmitarit, konkretisht ardhja e tij nga shtëpia deri në gjykatë, sigurimi gjatë marrjes në pyetje në seancë dhe përcjelljen e tij deri në shtëpi.

Pas kësaj, në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm nuk u mbajt, i njëjti u shty për datën 16 nëntor 2021.

Sipas prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Komunës së Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 euro, i akuzuari Sylejman Ahmeti privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr, dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë.

Dosja e Prokurorisë: Si ndodhi vrasja në Suharekë për 20 euro borxh?