Viza Schengen (ilustrim) - Foto: REL/Shutterstock

Dëshmitari: E shita lopën për t’i bërë paratë për lejen e punës në Gjermani

Gjykimi ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, M.Z., dhe dy të tjerëve, I.K. dhe E.K., ka vazhduar me dëgjimin e 3 dëshmitarëve.

M.Z., E.K. dhe I.K. akuzohen nga Prokuroria për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrimit të parave.

Sot ishte paraparë të jepnin dëshminë 10 dëshmitarë por 7 munguan.

Dëshmitari A.H. tregoi se sa para kishte dhënë për të fituar lejen e punës për në Gjermani, ku e kishte bërë këtë pagesë dhe si kishte paguar me para në dorë. Ai tha se këto para i kishte marrë hua.

Dëshmitari tha se të akuzuarit i njeh vetëm nga ajo që i ka parë në televizor.

Po ashtu, dëshmitari e pranoi se ka dhënë për rastin një deklaratë në Polici, porse nuk i kujtohej data.

A.H. tregoi se për lejen e punës për Gjermani kishte aplikuar në agjenci I.K., se për këtë 1.050 euro “cash”, ndërkaq si dëshmi pagese kishte marrë një paragon të nënshkruar nga ai dhe punëtorja e agjencisë I.K.

‘’Kam shkuar për të aplikuar për vizë pune  për në Gjermani, në zyra afër kompanisë “Sigma” ose “Sigal” në Prishtinë, për lejen e punës në Gjermani kam pagu 1.050 euro, në emër të agjencisë I.K.,  dhe  këtë shumë e kam paguar ‘cash’ në zyrën e tij’’, tha dëshmitari.

E kur u pyet se si ishte informuar për këtë agjenci dhe për lejet e punës për Gjermani, dëshmitari deklaroi se ishte informuar nga vëllai i tij.

Sipas dëshmitarit, vëllai i kishte thënë se disa shokë të tij kanë marrë vizë në këtë agjenci dhe disa të tjerë kishin mbetur në gjysmë.

I pyetur  nga prokurori i rastit A.D. se a ishte pajisur me këtë vizë, dëshmitari A.H. tha se sikur të ishte pajisur me vizë do të ishte në Gjermani e jo në Gjykatë.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se që nga momenti që kishte nënshkruar kontratën e deri më sot nuk ka mundur ta kontaktojë tani të akuzuarin I.K.

‘’Prej momentit që kam bo pagesën pas 10 dite na kanë thirrë për nënshkrimin e kontratës dhe na kanë pyetur a pajtoheni me pagesën që ka me u ba, momentin që kemi nënshkruar  kontratën, më 31.3.2017, e deri më sot 10.12.2019, nuk kemi pasur kontakt me askënd”, tha ai.

Ndërsa për paratë tha se asnjëherë nuk i janë kthyer.

I pyetur nga i akuzuari I.K. se kur kishte shkuar në zyrë a i ka sqaruar dikush procedurat e marrjes së vizës, dëshmitari tha se aty ia kanë sqaruar vetëm pagesën që do të bëhej, rreth shumës sa do të paguhej për punën, sa do të priste për vizë dhe se në rast se dështon do t’i kthehen vetëm 700 euro’.

I pyetur nga Gjykata se a e konsideron veten të dëmtuar dhe a kërkon kompensim dëshmitari tha se ai dhe dy shokët e tij janë të dëmtuar dhe se kërkon t’i kompensohet dëmi.

Më pas, dëshmoi L.H.

Dëshmitari tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe se qëndron prapa saj.

Ai tregoi se ka paguar 1.050 euro për vizën e punës në zyrën e agjencisë I.K. dhe se aty ka qenë një familjare e të akuzuarit I.K.

Dëshmitari tregoi se në të njëjtën zyrë kishte shkuar disa herë pasi kishte paguar paratë porse ajo ishte e mbyllur.

Tutje, ai tregoi se si kishte rënë në kontakt me të akuzuarin M.Z. përmes rrjetit social Facebook

‘’Disa herë kam qenë në zyrë por ishte e mbyllur, dhe këtë e kam kuptuar në media se është i përfshirë edhe M.Z. Nëpërmes  Facebook-ut kam kontaktu me M.Z. Më ka dhënë edhe numrin e tij të telefonit dhe më ka thanë se nuk ka të bëjë me rastin në fjalë përpos se zyra i është dhënë me qira I.K.’’, tha ai.

Po ashtu dëshmitari tregoi se kishte shkuar në shtëpinë e tani të akuzuarit I.K.

‘’Kam shkuar edhe te shtëpia e I.K, pasi ne jemi të dëmtuar nga e njëjta familje dhe kanë dalë prindërit e të akuzuarit I.K. dhe na kanë thënë se I.K. nuk është këtu edhe përkundër se ai ka qenë në arrest shtëpiak’’, shtoi dëshmitari.

I pyetur nga i akuzuari I.K. se në cilin muaj kanë qenë në shtëpinë e tij, dëshmitari deklaroi se saktësisht nuk e dinte, por ka një vit, “ka qenë stina vjeshte-dimër”.

Nga i akuzuari dëshmitari u pyet edhe se kur ka qenë në zyrë a ka nënshkruar marrëveshje që thotë se në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje është kompetente Gjykata Themelore e Prishtinës.

“E di që e kam lexuar marrëveshjen por nuk i kam kushtuar vëmendje”, shtoi dëshmitari.

Ndërsa në fund dëshmitari përpos që kërkoi të kompensohet për dëmin ai kërkoi edhe fitimin e humbur. “Kërkoj me u kompensu sepse më është dashur ta shes një lopë me gjithë viç që ta bëj shumën 1.050 euro e nëse e kisha mbajt atë lopë, tani do të ishte vetë e pesta dhe do kisha fituar ma shumë”, tha ky dëshmitar.

Edhe dëshmitari i tretë  K.A. deklaroi se për lejen e punës për Gjermani kishte paguar  1.050 euro në zyrën e agjencisë së I.K. me të cilin ishte takuar edhe personalisht.

Dëshmitari tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe se qëndron prapa saj.

I pyetur nga prokurori A.D. se si kishte marrë informatë për agjencinë, dëshmitari K.A. tha se dëshmitari J.H. më ka treguar se “në Prishtinë po u rregullojshin viza pune te I.K.”.

Ndërsa kur dëshmitari u pyet se sa kishte pritur për ta marrë këtë leje të punës ai deklaroi se “I.K. më ka thënë prit këtë muaj, prit këtë muaj. Me I.K. kemi komunikuar vetëm përmes telefonit  sepse e kemi kërkuar edhe në Prishtinë, po ashtu kemi kërkuar që të na kthehen paratë por s’kemi mujtë me marrë asnjëherë përmes telefonit se ka qenë I mbyllur’’.

Seanca e radhës është caktuar për nesër.

M.Z., I.K. dhe E.K. akuzohen nga Prokuroria për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrimit të parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M.Z. dhe I.K. që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, më 2 qershor 2016 themelojnë biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, M.Z., E.K. dhe I.K. ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.