ARKIV Autoambulanca intervenon pas vrasjes në 'Bon Vivant' në prishtinë më 13 tetor 2014. Foto: TV21

Dëshmitari arrin të identifikoj të arrestuarin në natën e vrasjes në lokalin ‘Bon Vivant’

Dy të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi për vrasjen e Rrahman Uka në lokalin ‘Bon Vivant’ në tetor të vitit 2014  janë ballafaquar me rrëfimet e dëshmitareve.

A.Z. dhe A.L. në cilësinë e dëshmitarëve dhanë versionet e tyre para gjykatës në Prishtinë në lidhje me këtë rast.

Dëshmitari A.Z. në seancën e mbajtur sot ka identifikuar personin që kishte arrestuar në natën kritike, natën kur kishte ndodhur vrasja në lokalin ‘Bon Vivant’.

Dëshmitari drejtoi dorën ka Masar Gërdovci, në pyetjen e prokurorit të rastit, se a mund të identifikonte personin e arrestuar në atë natë kur kishte ndodhur vrasja.

A.Z. tregoi që pas dëgjimit të të shtënave me armë zjarri kishte parë një person duke lëvizur me shpejtësi (por duke qaluar) dhe duke shikuar herë pas herë prapa, këto veprime bën që dëshmitari të përcjellë personin deri në vendin ku edhe e kishte arrestuar.

“Në bazë të veprimeve të atij personi i cili ishte duke lëvizur me shpejtësi, i cili kohë pas kohë shikonte nga mbrapa më ka dhënë dyshimin se mund të jetë i lidhur me vendin e ngjarjes”- tha dëshmitari A.Z.

Dëshmitari tregoi që pas arrestimit dhe neutralizimit të të dyshuarit në çantën e të njëjtit kishin gjetur një armë zjarri.

“Në një mënyrë më është dorëzuar pa rezistencë, e kom pyet a është arma në çantë, ka pohuar me kokë se po”- shtoi tutje A.Z.

Në fund, dëshmitari tregoi edhe momentin kur ishte pyetur nga i arrestuari se “A ka vdek bre?”.

Në seancë si dëshmitar u dëgjuar edhe A.L., i cili tha që mbetët në tërësi pranë deklaratave të dhëna më parë dhe se nuk ka asgjë tjetër të shtojë në lidhje me këtë rast.

“Po e mbështes raportin policor të cilin e kam përpiluar në ditën kur ka ndodhur ngjarja, si dhe të gjitha deklarimet që i kam dhënë më herët para gjykatës”- tha dëshmitari A.L.

Në seancën e cila do të mbahet më datë 1 nëntor të këtij viti priten të dëgjohen dëshmitarët e tjerë të propozuar nga palët në lidhje me këtë rast.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim për veprën ndërsa është refuzuar akuza për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndejrit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Shkrimet e tjera në idhje me kete rast mund t`i lexoni ne këtë LINK