Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët tregojnë detaje nga tentim vrasja në Pejë

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar procesi gjyqësor kundër Eledian Ponxhës, i cili akuzohet për tentim vrasje ndaj të miturit V.K.

Në seancën e sotme u dëgjuan disa dëshmitarë.

Dëshmitari A.K. rrëfeu para trupit gjykues për ngjarjen kritike të datës 17 tetor 2018.

Ai tregoi se si ka ndodhur përleshja.

Sipas tij, i dëmtuari V.K. i pari e ka sulmuar të akuzuarin Eledian Ponxha dhe atë me pjesën e sharzherit të revoles.

Tutje dëshmitari shtoi se nuk e kishte parë të akuzuarin duke e sulmuar të dëmtuarin V.K.

“Unë nuk e kam parë Eledianin duke e sulmuar V.K.,  sepse ka qenë shumë tollovi por e kam parë momentin kur janë fjalosë me fjalë”, tha ai.

Dëshmi dha edhe dëshmitarja V.B.

Ajo para trupit gjykues tha se atë natë rastësisht kishte goditur një mjet të hekurt me këmbë me ç’rast ka dëgjuar të bien disa fishekë.

Dëshmitarja tha se nuk i ka parë dikujt ndonjë mjet të rrezikshëm në dorë por që të akuzuarin Ponxha e kishte parë të gjakosur në kokë.

Më pas ka dëshmuar edhe i dëmtuari V.K., i cili tregoi arsyet pse ka ndodhur përleshja në ditën kritike.

“Arsyeja pse jena rreh është sepse këta kanë qenë duke hyrë nga dera e fundit në autobus. Vëllai  i Eledianit me E.K, ndërsa unë kam qenë duke dalë prej autobusit  nga dera e fundit për me dhezë një cigare. Unë nuk kam qenë vetë por kam qenë me E.K.. Prej gjatësisë i vërej kush ma ka hi. Vëllai i Eledianit me shajti pastaj unë e shajta dhe u acaru situata. Pastaj E.K. e thirri Eledianin  dhe kur kanë ardhur këta me kanë rrethu, B.K  më ka goditur me grusht në pjesën e djathtë të mollëza e syrit”,  tha ai duke përshkruar momentet kritike të datës 17 tetor 2018.

I dëmtuari tutje sqaroi përleshjen mes tij dhe të akuzuarit.

“Eledianin e kam goditur me shkelm mes këmbëve. Pastaj e kam nxjerr thikën dhe e kam sulmuar Eledianin. Unë jam sjell pak dhe në atë moment jam therur edhe unë prej Eledianit në gjoks”, tha i dëmtuari.

Më tej ai i mohoi pretendimet se ai në ditën kritike ka pasur armë dhe që me të njëjtën e ka goditur të pandehurin Eledian.

Sipas tij, arsyeja për ndërrimin e deklaratës së sotme më atë të dhënë në Prokurori është se në atë kohë nuk ka dashur që i akuzuari të ndiqet penalisht madje as nuk ka kërkuar dëmshpërblim.

“Ju sot deklaruat se Elediani ju ka therur me thikë”, tha mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Mekaj.

“Po”, u përgjigj i dëmtuari.

“Gjersa në deklaratën në Prokurori ke thënë se nuk e di se a jam therur në fillim apo në fund dhe as që e di se kush më ka therur më thikë”, vazhdoi avokati.

“Unë nuk kam dashur që Elediani të ndiqet  penalisht as nuk kam dashur dëmshpërblim, por këta s’po dojne as mirë as keq, e që deklarata që e kam dhënë në Prokurori  e kam dhënë ashtu që mos të ndiqen këta penalisht”, u përgjigj V.K.

Sipas propozimit të avokatit Mekaj, të akuzuarit nga Gjykata iu ndërpre masa e paraqitjes në stacion policor.

Në cilësinë e dëshmitarëve sot u dëgjuan edhe D.K. dhe B.K.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga gjyqtarët Sami Sharraxhiu, Lumturije Muhaxheri dhe Ahmet Rexhaj.

Prokuroria akuzon Eledian Ponxhën se me dashje dhe me përdorim të thikës ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin V.K.

Aktakuza sqaron se i dëmtuari paraprakisht kishte goditur me armë në kokë të akuzuarin, ku me t’i rënë karikatori i akuzuari e godet me thikë në gjoks të dëmtuarin.

Seanca e radhës mbahet me 2 dhjetor.