PTK - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët në gjykatë për ‘zhdukjen’ e 76 mijë eurove të PTK-së

Dy dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre të premten në gjykatën e Prishtinës në rastin në të cilin Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti- Abazi po akuzohen për përvetësim të parave të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).

Prokuroria e akuzon Fllanza Shabin se në cilësinë e zyrtares së shitjes në zyrën postare numër 10 në Prishtinë, së bashku me të akuzuarën Fatime Hoti- Abazi si zyrtare e teleshitjes, i kishin tejkaluar kompetencat e tyre duke përfituar shumën prej 76,151 euro brenda periudhës 2009-2012.

Aktakuza thotë se kjo shumë e parave u ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e Western Union-it në Postën e Kosovës përderisa mungesën e tyre e kishte zbuluar Auditori i Brendshëm i Postës dhe Komisioni për verifikimin e kërkesave të hapura në zyre postare për shërbimet e Western Union-it.

Ish-zyrtaret e PTK-së të akuzuara për vjedhje dalin para gjykatës

Dëshmitari Astrit Shala, ish-zyrtar i shitjes në këtë kompani, kur u pyet nga prokurori Arian Gashi, tha se rreth ngarkimit dhe shkarkimit nga mjetet monetare tha se “me atë çështje është marrë një arkëtare e cila i ka ngarkuar sportelistët çdo ditë me shumën prej 5 mijë euro”.

“Ajo shumë gjatë qarkullimit të ditës varësisht prej dërgesave, është deklaruar në fund të ditës përmes raportit ditor që i dërgohej Western Union-it. Ai raport ditori është hartuar edhe në librin e shënimeve – ditar të punës që kanë qenë obligativ  për qëllime të prezantimit para eprorëve dhe Ëestern Unionit”, tha ai duke mohuar mundësinë e përvetësimit të mjeteve nga sektoristët.

Ish-zyrtaret e PTK-së të akuzuara për vjedhje dalin para gjykatës

Ndërsa dëshmitari tjetër Bujar Shala, ish-koordinator i shitjes së produkteve të Postës, lidhur me procedurën e arritjes së këtyre raporteve te eprorët tha se “raportet e tilla janë dërguar çdo ditë nga sportelistët përmes email adresës dhe se nuk ka mundësi të ndodhte ndonjë mos përputhshmëri në mes raportit të cash-it dhe raportit që kanë pranuar eprorët”.

“Aq më pak kur të njëjtat deklarime të mjeteve duhej të përfshiheshin përveç raporteve ditore edhe në raporte javore, mujore dhe vjetore”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje u caktua për 7 shkurt.