Foto: KALLXO.com

Dëshmitar i ri në gjykimin e avokatit të akuzuar për mashtrim

Në gjykimin e avokatit Haxhi Çekaj është vendosur të dëgjohet dëshmia e një dëshmitari të ri.

Trupi gjykues aprovoi kërkesën Besnik Berishës, avokat i të akuzuarit.

Ai propozoi që lidhur me rastin të dëgjohet dëshmitari Nazmi Selmanaj.

Sipas avokatit, Nazmi Selmanaj është personi i vetëm që disponon të vërtetën e plotë sa i përket relacionit Imeraj- Çekaj dhe i njëjti është dëshmitar shumë i rëndësishëm për këtë rast.

Lidhur me këtë propozim nuk u pajtua mbrojtësi i të dëmtuarës, Mirjeta Imeraj, Durim Osmani.

Sipas tij për të njëjtat fakte që u paraqitën edhe nga ana e mbrojtjes, dëshmitari veç është deklaruar.

Më tej ai shtoi se në pyetjen se a ka qenë prezent kur Haxhi Çekaj i ka kërkuar 40 mijë euro, dëshmitari është deklaruar se jo.

Trupi gjykues e pranoi propozimin e avokatit Besnik Berisha dhe në seancën e ardhshme është paraparë të dëgjohet Nazmi Selmanaj.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Valbona Musliu-Selimaj, Naime Krasniqi-Jashanica si dhe Vesel Ismajli, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën e Pejës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri në ditën e arrestimit të tij, më 15.02.2017.

Sipas Prokurorisë, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës së Pejës prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për këtë rast.