Dëshmia e zyrtarit të ATK-së në gjykimin ndaj të akuzuarit për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik
Ismet Kunushevci, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” është ulur edhe sot më 05.08.2024 në bankën e të akuzuarit në Gjykatën E Prishtinës.
Kunushevci akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Beni Com”, në tenderin “Ofrimi i shërbimeve-marrja me qira e makinerive” kishte dorëzuar një vërtetim tatimor të rremë.
Sot më 05.08.2024 është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të Prokurorisë, Jakup Hoti, analist i sistemit në ATK.
Në fillim të seancës dëshmitari u përballë nga prokurori Kujtim Munishi lidhur me pyetjen që kishte të bënte me kryerjen e detyrave të tij.
“Unë jam analist i sistemit ku nxjerrim të dhëna, bëjmë raporte të ndryshme për stafin e ATK-së. Ne nxjerrim të dhëna dhe flasim vetëm për atë çfarë shohim në sistem”- deklaroi dëshmitari Jakup Hoti.
Dëshmitari gjatë seancës së sotme deklaroi se me aq sa kishte njohuri nuk mund të lëshoheshin dy vërtetime me të njëjtin numër serik.
“Me sa e di nuk mund të lëshohen dy vërtetime me numrin e njëjtë serik, mirëpo që nuk mund të jap përgjigje definitive pasi që ai nuk e ka zhvilluar këtë pjesë të sistemit” – deklaroi tutje dëshmitari Hoti gjatë seancës së sotme.
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga prokurori i shtetit seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e mbrojtësit të akuzuarit Ismet Kunushevci, avokatit Ahmet Gjinovci, i cili gjatë marrjes në pyetje theksoi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më herët në prokurori dhe polici.
Në seancën e sotme u administruan edhe provat materiale si dhe i akuzuari po ashtu e paraqiti mbrojtjen e tij.
Trupi gjykues në fund të seancës mori aktvendim që në seancën e ardhshme në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen personat zyrtarë që kanë trajtuar këtë rast të tenderimit në Policinë e Kosovës dhe po ashtu nga ATK-ja do të kërkohet kush e ka lëshuar vërtetimin e datës 24 gusht 2022, si dhe a ka pasur aplikim dhe a është lëshuar ky vërtetim nga ATK sipas aplikimit përkatës.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla – kryetar, dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Fatime Dërmaku.
Shqyrtimi gjyqësore i radhës lidhur më këtë çështje gjyqësore pritet të mbahet gjatë muajit tetor.
I akuzuari nuk e kishte pranuar fajësinë para gjykatës më datë 15.07.2024.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë me datë 03.11.2022 në Prishtinë, i pandehuri Ismet Kunushevci – pronar në kompaninë “Beni Com” SH.P.K, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, me titull “Ofrimi i shërbimeve – marrja me qira e makinerive”- për Policinë e Kosovës.
Sipas aktakuzës i pandehuri Ismet Kunushevci në Policinë e Kosovës – Drejtorin e Prokurimit ka prezantuar vërtetimin me numër serik 1000916015 të datës 24.08.2022, i njëjti dokument pas verifikimit në sistemin e ATK-së është konstatuar së vërtetimi i prezantuar nga OE “Beni Com” me numër serik 1000916015 si i datës 24.08.2022 në realitet është i datës 24.06.2022 e që si i tillë konsiderohet si i rremë,
Ai për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.