Dëshmia e Sejdi Hoxhës në gjykimin e Adem Grabovcit dhe të tjerëve në rastin 'Pronto'

Në gjykimin  për shefat e  PDK-ës në rastin PRONTO sot u  dëgjua ish shefi  ekzekutiv  të ‘’Infra-Kosit’’  Sejdi Hoxha.

Hoxha para trupit gjykues tregoi se në vitin 2011 ishte kryesues i Bordit të Ndërmarrjesh Publike ‘Infra-Kos’ deri në vitin 2012, pastaj ishte përzgjedhur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Postës së Kosovës dhe kishte  dhënë dorëheqje nga pozita në  ‘Infra-Kos’.

Tutje dëshmitari tregoi për konkursin, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së Bordit të Drejtorëve për Ndërmarrjen Publike ‘Infra-Kos’.

“Bordet e Drejtorëve në Ndërmarrjet Publike zgjedhen përmes konkursit publik, proces që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, sipas kritereve të parapara në Ligjin për ndërmarrjet publike’’, deklaroi dëshmitari Hoxha.

Ai tha se vendimin final për zgjedhjen e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike e ka marrë kryeministri i vendit, ndërsa Bordi i Drejtorëve ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv.

“Për punën tonë i kemi raportu qeverisë së Kosovës ’Komitetit Ndërministror për Ndërmarrje Publike’ për raportime të rregullta çdo tre muaj”, tha Hoxha.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Besim Beqa, avokati Besnik Berisha se: “A ka pas konkurrentë për këtë pozitë?’’.

Dëshmitari Sejdi Hoxha deklaroi se: “Po kanë qenë mbi tre persona por nuk më kujtohet numri i saktë i tyre’’.

“As Adem Grabovci, e as Besim Beqaj nuk më  kanë kontaktuar personalisht ose tërthorazi për shpalljen, anulimin, rishpalljen e çfarëdo konkursi që lidhet me këtë periudhë kohore në këtë Ndërmarrje Publike”, përfundoi dëshmitari Sejdi Hoxha.

Gjykimi në rastin ‘Pronto’

Prokurorja e rastit Drita Hajdari sfidoi gjykatësin Shashivar Hoti.

“Jemi duke humbur kohë me këtë dëshmitar asgjë nuk ka vërtetuar vetëm se po e interpreton ligjin për ndërmarrjen publike”, tha prokurorja Hajdari.

Dëshmitari Hasan Ibraj, deklaroi se: “Në korrik të vitit 2011, jam emëruar si kryesues i Ndërmarrjes “Sh. A. Train-Kos’’ me vendim të kryeministrit deri në fund të vitit 2014’’.

“Me vendim të kryeministrit jemi zgjedhur 4 anëtarë, unë kam punuar deri në vitin 2014, ndërsa 3 anëtarët e tjerë deri në 2015’’, tha Ibraj.

“Gjatë mandatit tim kemi shpallur konkursin në tetor 2011 për  kryeshef ekzekutiv’’, tha dëshmitari Hasan Ibraj.

I pyetur nga avokati Besnik Berisha, se a ka pasur ndonjë kriter shtesë përpos kritereve të parapara sipas ligjit për Ndërmarrje Publike duke aluduar në kritere siç janë përkatësia politike, religjioze apo kombëtare, dëshmitari Ibraj tha: “Jo nuk ka pasur këso kriteresh”.

“Pas intervistimit të rregullt nga ana e Bordit është bërë përzgjedhja kandidatit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv në muajin dhjetor të vitit 2011’’, vazhdoi tutje dëshmitari Ibraj.

I pyetur nga avokati Besnik Berisha se a ka pasur anulim ose rishpallje për këtë pozitë, dëshmitari deklaroi se:”Jo nuk ka pasur”.

“A ju kujtohet se a ka pas vendim për emërimin e kryeshefit ekzekutiv dhe nëse po kush e ka marrë këtë vendim?”, pyeti avokati Besnik Berisha.

Dëshmitari Hasan Ibraj deklaroi se: “Në dhjetor të 2011, pas përçudnimit të procedurave sipas konkursit Bordi ka marrë vendim për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv në Train-Kos Sh.A.’’, tha ai.

“Ndërsa vendimi final për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv është i datës 27.12.2011”, tha dëshmitari Ibraj.

Për fund dëshmitari Hasan Ibraj deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur ndërhyrje për hapjen, anulimin ose rishpalljen e konkursit nga Adem Grabovci dhe Besim Beqa.

Seanca e radhës u caktua për datën 4 dhe 14 nëntor.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet gjykimi për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.