Gjykimi ndaj Granit Elshanit - 31.10.2019

Dëshmia e policit: Granit Elshanit ia gjeta revolen nën jastëk

Në rigjykimin e Granit Elshanit, i cili po akuzohet për incidentin e janarit të vitit 2010, ku nga plumbat u vra një person e tre të tjerë u plagosën, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua zyrtari policor që kishte dalë në vendngjarje Shpend Berisha, si dhe Shpat Ukella, që kishte qenë klient atë natë në diskotekën ku kishte ndodhur ngjarja.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Afrim Shefkiu, zyrtari policor Shpend Berisha tregoi se pasi kishte pranuar informatën se kishte pasur gjuajtje armësh në diskotekën “City Club”, menjëherë kishte dalë në vendngjarje, dhe ai personalisht kishte shkuar te lokali, ishte formuar ekipi i hetuesisë, ekipi i forenzikës kishte filluar me vendshikim, por që për shkak se ngjarja ka përfshirë pjesën deri të varrezat e qytetit, ai tha se atëherë janë shpërndarë në ekipe të ndryshme.

Ai tha se personalisht kishte qëndruar në vendngjarje së bashku me oficerin Bajram Koliç.

Dëshmitari tregoi për veprimet hetimore pas shikimit në vendin e ngjarjes, dhe së bashku me njësinë speciale kishin shkuar në fshatin Ramun në shtëpinë e Tahir Hysenit, për të kërkuar djalin e këtij të fundit, Shkodran Hysenin.

“Shkodranin, një qytetar e kishte identifikuar përmes fotografive si person të dyshuar për këtë incident”, tha Berisha.

Dëshmitari tha se me rastin e kërkimit të Shkodranit, nga babai i tij ishin informuar se i njëjti jeton jashtë shtetit dhe ka vite që nuk ka qenë në shtetin e Kosovës.

Pastaj, zyrtari policor Berisha tha se disa hetues së bashku me njësinë speciale kanë kërkuar në dhomat e shtëpisë, ku në katin e dytë ka qenë djali i dytë i Tahirit, gjersa në katin e parë të shtëpisë ishte Tahiri me një djalë, që më vonë dëshmitari kishte kuptuar që ai ishte në lidhje familjare me Tahirin, duke iu referuar Granit Elshanit.

Ai tregoj para trupit gjykues edhe për sjelljet e të akuzuarit Elshani, duke thënë se i njëjti ishte i shqetësuar nga prezenca e Policisë atë natë.

Më tej, ai tregoi edhe për momentin kur e gjetën armën në dhomën në të cilën qëndronte Graniti.

“E kam pyetur pronarin e shtëpisë se ku ka fjet Graniti në cilin krevat, dhe pronari i kishte thënë se Graniti ka fjetur në ketë krevat, dhe aty nën jastëk ishte revolja”, tha dëshmitari.

Zyrtari policor Berisha, tha se ajo revole ka shkuar në ekzaminim balistik, dhe se në bazë të raportit ka rezultuar se është përdorur në incidentin në fjalë.

I pyetur nga mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, Berisha tha se nuk e di se çka është punuar nga ekipi i Forenzikës, e poashtu shtoi  se nuk i kujtohet se a ka qenë prezent ndonjë prokuror.

Mbrojtja kërkoi të dijë nga dëshmitari rrjedhën e ngjarjes, se si erdhi deri te momenti i kërkimit pikërisht te jastëku që gjendej në shtratin e Granitit.

Dëshmitari u përgjigj se kjo për shkak të shqetësimit/frikës së Granitit.

Kosovare Kelmendi kërkoi që dëshmitari të sqaroj se si ai e cilëson atë veprim të tij të ngritjes së jastëkut, për kontrollim.

“Veprim shumë profesional, reagim i imi ndaj dyshimit që kishim ndaj tij”, tha polici.

Lidhur me revolen që ishte gjetur nën jastëkun e të akuzuarit Granit Elshani, dëshmitari tha se nuk ishte TT, dhe se ngjyra nuk i kujtohet.

I pyetur nga avokatja se “A jeni në dijeni se a ka pasur vërtetim mbi konfiskim të armës”, dëshmitari u përgjigj se duhet të jetë në shkresat e lëndës.

Avokatja para trupit gjykues tha se një vërtetim i tillë, e poashtu as fotografia e armës në vendngjarje nuk gjendet në shkresat e lëndës.

Shpat Ukella, dëshmitari i cili ka qenë diskotekën “City Club” gjegjësisht në vendin ku ka ndodhur incidenti, tha se shumë pak i kujtohet rreth atij rasti, duke treguar se natën kritike ka humbur jetën një djalë, të cilin dëshmitari e identifikoi si “kaqa”.

“Kam dëgjuar disa të shtëna, por që personi që ka shtënë me armë, nuk e kam parë” tha dëshmitari Ukella.

Si prokurori, ashtu edhe avokatja Kelmendi e ballafaquan me disa pjesë të deklaratës së tij të mëhershme, por që dëshmitari tha se përkundrazi se nuk i kujtohet çka ka deklaruar, qëndron pranë deklaratave të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Seanca e radhës mbahet nesër.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me këtë rast – LINK