
Nait Hasani, duke dëshmuar në gjykimin ndaj të akuzuarit për masakrën në burgun e Dubravës - 16.01.2025 – Foto – Adile Agushi – KALLXO.com
Dëshmia e Nait Hasanit në gjykimin ndaj të akuzuarit për masakrën e Dubravës
Në gjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, në seancën e së enjtes 16.01.2025 ka vazhduar dëshminë dëshmitari Nait Hasani. Hasani dëshminë e tij e kishte dhënë edhe më datë 04.11.2024.
I pandehuri Gavrilo Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshmitari Nait Hasani deklaroi se nga data 21 maj 1999 deri më datë 24 maj 1999 në burgun e Dubravës kanë qenë të bombarduar, të vrarë dhe të plagosur.
Dëshmitari Hasani deklaroi se në burgun e Dubravës atë e kanë nxjerrë nga dhoma 5 gardianë dhe e kanë torturuar në forma të ndryshme.
“Mua më kanë torturuar në forma të ndryshme duke më fyer me nanë, babë, grua e motër, për atë që ne kemi bërë kundër Serbisë”- tha dëshmitari Hasani.
Dëshmitari Hasani deklaroi se gardianët kanë qenë me uniforma dhe se me emra nuk i ka njohur, mirëpo shokët e tij të cilët kanë qenë më herët në burgun e Dubravës i kanë njohur dhe i kanë identifikuar me emra gardianët.
Tutje, dëshmitari Hasani deklaroi se Shoqata e të Burgosurve më 19 janar 2007 ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë, duke thënë se që 17 vite e kanë bërë këtë kallëzim penal dhe që i vjen mirë që sot po merr një përfundim.
Dëshmitari Hasani tutje tha se ky kallëzim penal është bërë ndaj Drejtorisë së Burgut të Dubravës, gardianëve dhe të burgosurve serbë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje. Ai tha se janë 32 të pandehur, por që në mesin e tyre nuk është edhe i akuzuari Milosavleviq, pasi që nuk i kanë pasur të dhënat e tij sipas listës që e kanë pasur.
Lidhur më këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, avokati Nebojsha Vllaiq kërkoi që ky kallëzim penal të vendoset në shkresa të lëndës si provë.
Këtë propozim të avokatit Vllaiq, prokurorja Ajshe Ferati tha që të mbetet në diskrecion të gjykatës, duke marrë parasysh se për këtë ende nuk kanë përfunduar hetimet.
Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se kur të arrijnë në fazën e administrimit të provave , sigurisht që do të pajiset edhe pala mbrojtëse me këtë shkresë.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që pyetje për dëshmitarin Hasani të parashtrojë mbrojtja e të akuzuarit Milosavleviq, mirëpo të njëjtit deklaruan se nuk kanë pyetje.
Në këtë seancë ishte paraparë të vazhdojë dëshminë edhe dëshmitari Ukë Thaqi, mirëpo për të njëjtin kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili njoftoi se dëshmitari Thaqi nuk ka mundur të paraqitet në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore të tij.
Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili njoftoi se seanca e caktuar për datën e nesërme 17.01.2025 anulohet për arsye se gjyqtarët e Departamentit Special janë të obliguar të marrin pjesë në një punëtori të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Ndërsa seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për në muajin shkurt dhe mars 2025.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismaili – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.