Dëshmia e ekspertit në gjykimin ndaj Nikolla Nojkiq për keqërdorimin e mijëra eurove të Komunës së Kllokotit

Nikolla Nojkiq, ish-drejtor i financave në Komunën e Kllokotit, ka dalë para gjykatës për t`u ballafaquar me akuzat e prokurorisë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari edhe në seancën e sotme u deklarua i pa fajshëm.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon Nikolla Nojkiqin se nuk i ka kryer detyrat e tij dhe se i ka kaluar autorizimet e parapara me ligj.

Akti akuzues thotë se Nikola Nojkiq nga gushti i vitit 2015 e deri më 2016, në cilësinë e Drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Aktakuza tutje thotë se, Nojkiq pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviç, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiç, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

KALLXO.com raporton se në seancën e sotme u dëgjua eksperti financiar Xhelal Shabani, i cili e kishte përpiluar ekspertizën lidhur me dëmin e pretenduar të Komunës së Kllokotit.

Eksperti Shabani deklaroi se: “Për ta përpiluar ekspertizën kemi marrë për bazë të dhënat e grumbulluara nga secili inkasant i Komunës, këto të dhëna i kemi marrë nga shkresat e lëndës dhe me të njëjtat kemi ardhur në përfundim të ekspertizës. Unë nuk e kam bërë krahasimin e mjeteve të inkasuara dhe atyre të dorëzuara, sepse nuk e kam parë të arsyeshme. Drejtori i financave nuk është dashur as t`i shoh me sy të hollat e lëre më t`i ketë në duar. Nuk kam informacione nëse i akuzuari ka marrë të holla nga inkasantët e tjerë, përveç nga Bogdan Bogdanoviç dhe Bislim Trena”.

Tutje eksperti deklaroi se shuma totale me të cilën është ngarkuar i akuzuari është 14,013.50 euro.

“Vlerën të cilën e ka dorëzuar është 3,623 euro, që i bie se buxhetin e Komunës e ka dëmtuar në shumen prej 10,390 euro”, përfundoi eksperti Xhelal Shabani.

Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të akuzuarit Nikolla Nojkiq, i cili deklaroi se: “Se nuk e pranoj fajësinë për veprën penale me të cilën më ngarkon Prokuroria, pasi që nuk e ndiej vetën fajtor. Mbetem pranë deklaratave që i kam dhënë në Polici dhe në Prokurori dhe nuk kam tjetër se çka të shtojë”, tha i akuzuari Nojkiq.

Në vazhdim Nojkiq tha se një pjesë të parave i ka dorëzuar në xhirollogari të bankës, kurse pjesën tjetër kryetari i Komunës i ka shfrytëzuar për udhëtime zyrtare në Maqedoni dhe në Qipro.

Seanca e sotme u shtye për muajin shkurt ku do të jepet fjala përfundimtare lidhur me këtë çështje.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Dosja e Prokurorisë: Ish-Drejtori i Financave në Kllokot i keqpërdori mbi 10 mijë euro