
Arkiv - Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (16.09.2022), Foto: KALLXO.com
Dëshmia e ekspertit financiar në gjykimin ndaj ish ministres Dhurata Hoxha
Në gjykimin kundër ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtorit të prokurimit publik, Fitim Musafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani që po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin e kontratave lobuese, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar eksperti financiar Agim Sheqiri
Sheqiri në ekspertizën e tij kishte vlerësuar që shkëputja e kontratës mes Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe kompanisë Madison Global është bërë pa bazë ligjore, këtë e kishte mbështetur në vet vendimin ministrisë.
“Në bazë të dëshmisë, në bazë të vendimit të vet ministrisë që e ka nxjerrë lidhur me këtë kontratë”- tha dëshmitari në seancë.
Shkëputja e kontratës sipas tij kishte ardhur në nëntor të vitit 2019.
Eksperti tutje vazhdoi duke treguar rregullat bazë të prokurimit publik.
“Po thjeshtë prokurimi publik, është i bazuar në tri parime, transparencë, konkurrencë dhe trajtim të barabartë”- sqaroi eksperti.
I njëjti vazhdoi tutje duke treguar që autoriteti kontraktues ka për detyrë që me ju nënshtru konkurueshmërisë, pra thjeshtë me marrë një ofertë sa më kualitative kontraktuese.
Agim Sheqiri tha që rasti me kompaninë Madison Global i cili ishte nënshkruar duke u thirrur në këto arsyeshmëri objektive por që në implementim e sipër ishte shkëputur në mënyrë të njëanshme pa paralajmërim.
“Ne e kemi rastin e negociuar nga kompania Madison Global dhe është nënshkruar duke u thirrur në këto asyeshmëri objektive dhe teknike apo artistike çfarëdo që aludohet por në implementim e sipër shkëputet në mënyrë të njëanshme pa ndonjë paralajmërim që kjo prodhon pasoja për vet autoritetin kontraktues do të ketë, pra cila është ideja që me ju shmang procedurave të hapura apo konkurruese me zgjedh një kontraktor të rregullt për ato shërbime dhe në fund me shkëput kontratën në mënyrë të njëanshme”- tha eksperti.
Tutje eksperti tha në vazhdim që është kontrata me kompaninë Franceze që nuk dihet se çfarë shërbime ka ofruar, cilat kanë qenë përfitimet e kësaj kompanie dhe se sa i ka ndihmuar institucioneve drejt proceseve integruese.
Sipas tij kompanitë që kanë ofruar shërbime nuk kanë ofruar të dhëna se janë kompani që ofrojnë këto lloje të shërbimeve ani pse kur hyjnë në proces janë të obliguara nga autoriteti kontraktues që t`i negociojnë kushtet e kontratës.
“Përpos kësaj, edhe kompanitë që kanë ofruar shërbime nuk japin apo nuk ofrojnë të dhëna se janë kompani të tilla që ofrojë shërbime të kësaj natyre, edhe në rastin kur hyhet në procedurë, është obligim i autoritetit kontraktues që t`i negociojnë edhe ato kushte të kontratës, duke pasur parasysh shërbimet që ofrohet mënyrën që ofrohen edhe çmimi të përcaktohet”- tha Sheqiri.
Gjykimi ndaj këtij rasti do të vazhdoj ditën e nesërme me dëgjimin e dëshmitarëve.
Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi vitin e kaluar KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.
Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.
Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.
Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.