Dëshmia e babait në gjykimin e djalit të akuzuar për vjedhje në shtëpinë e xhaxhait

 

Selmon dhe Ibrahim Mehmeti, kanë dal para gjyqit për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë për vjedhje të rëndë në shtëpinë e xhaxhait të tyre.

Selmon dhe Ibrahim Mehmeti, akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje dhe importin-eksportin i armëve.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Selmon Mehmeti dhe Ibrahim Mehmeti, me datën 23 korrik 2019, në Fshatin Kishnapole në Gjilan, në shtëpinë e të dëmtuarit Skender Mehmeti, kanë kryer vjedhje të rëndë. Sipas dosjes së Prokurorisë të akuzuarit pasi e hapin derën me anë të mjeteve të forta-kaçavidave, nga aty vjedhin mjete të punës, stoli ari dhe një pushkë gjuetie.

Tutje sipas Prokurorisë, të akuzuarit armën qe e kanë vjedhur, e kanë bartur pa leje dhe pa autorizim-në kundërshtim me ligjin për armët. Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit armën e gjuetisë, të cilën sipas aktit akuzues e kishin vjedhur e shesin tek një person tjetër.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Fatmir Mehmeti, i cili tha se me të akuzuarit në këtë çështje është në lidhje familjare, konkretisht të akuzuarin Selmon Mehmeti e ka djalë.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi, e njoftoi dëshmitarin se është i liruar nga detyrimi për të dëshmuar.

“Pasi që njërin nga të akuzuarit e keni djalë, nuk e keni për obligim të përgjigjeni, por nëse vendosni të përgjigjeni jeni të obliguar të na thoni të vërtetën”, njoftoi gjykatësi Ademi.

Dëshmitari Fatmir Mehmeti, tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori për këtë çështje por që nuk qëndron pranë sajë.

“Sa i përket arit që kam deklaruar në Prokurori nuk ka pasur (ari), kam deklaruar ashtu sepse motra ime ka thënë se në shtëpi ka pasur edhe ari dhe unë me fjalë të saj e kam dhënë atë deklaratë. Të gjitha gjërat që kam deklaruar se janë vjedhur në shtëpinë e vëllait, na i ka treguar vëllai përmes telefonit, e ai jeton në Gjermani”, tha dëshmitari Mehmeti.

Tutje pasi u pyet nga Prokurori Isuf Sadiku, dëshmitari tha se të gjitha gjërat që vëllai i ka deklaruar të vjedhura nuk i ka pasur në shtëpi.

“Deklaratën në Polici për sendet e humbura e kam dhënë vetëm sipas asaj që më ka thënë vëllai në telefon dhe motra ime. Pasi ishte thyer shtëpia e vëllait dhe kam dhënë deklaratën e tij. Kam bisedu me vëllain Skënderin dhe ai më ka thënë se nuk do ta akuzojë askënd dhe se heq dorë nga ndjekja penale ndaj Ibrahimit dhe Selmonit”, tha dëshmitari Fatmir Mehmeti.

Tutje në seancë avokatët e të akuzuarve kërkuan që seanca e sotme të ndërprehet pasi që pas një pushimi gjatë seancës ishin konsultuar me të akuzuarit dhe dëshirojnë të hyjnë në marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

Andaj sipas kërkesës së avokatëve, seanca e sotme u ndërpre për t`u mbajtur me datën 13 mars.