Foto: Kallxo.com

Dëshmi të reja në rigjykimin për automjetet e kompanisë të shitura për hekur në Gjilan

Ish-anëtari i bordit të kompanisë komunale të mbeturinave “Eko-Higjiena” në Gjilan, Senad Rama, ka mohuar fajësinë në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rigjykimin ndaj tij që po mbahet në gjykatën e Gjilanit.

Sipas aktakuzës, Senad Rama, në pozitën e Anëtarit të Bordit të Drejtorëve të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Aktakuza thotë se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale ndërsa shitja e tyre e kishte dëmtuar kompaninë për 64,327.53 euro.

Gjykata e Gjilanit, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Senad Ramën por Gjykata e Apelit në maj të këtij viti e kishte kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë.

Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës në Gjilan është i paqëndrueshëm, pasi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në seancën e sotme fillimisht u dëgjua dëshmitari Shkumbim Sahiti, polic hetues, i cili deklaroi se se mbetet prapa kallëzimit penal të cilin e kishte përpiluar lidhur me këtë rast.

“Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar edhe pse e kam bërë rishikimin e deklaratave të mia të cilat i kam dhënë”, tha dëshmitari Sahiti.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Engjell Rexhepi, deklaroi se nuk ka pyetje shtesë për dëshmitarin, duke mbetur pranë vërejtjeve të dhëna në seancat e kaluara.

Ndërsa dëshmitari tjetër Muhadin Haziri prezantoi një dëshmi shtesë në seancën e sotme.

“Si dëshmi shtesë e posedoj vendimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit të datës 23.01.2011 me të cilin ndalohej shitja e aseteve publike të kompanisë “Eco Higjiena”. Gjithashtu posedoj edhe një email adresë e cila tregon se menaxhmenti i kompanisë janë marrë vesh për të shitur asetet e Komunës”, tha Muhadin Haziri.

Kur u pyet nga Prokurori pse këto dokumente nuk i kishte ofruar më parë, dëshmitari deklaroi se nuk i kishte pasur këto dokumente më herët.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit kërkoi nga Prokurori i Shtetit që të fillojë hetimet se si dëshmitari i ka siguruar këto prova dhe se në momentin e sigurimit të tyre a ka kryer vepër penale apo jo pasi që, sipas tij, asnjë nga këto dokumentë nuk janë të nënshkruara nga dikush.

Seanca do të vazhdojë më 27 dhjetor me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.