Azem Syla. Foto: Kallxo.com

Dëshmi: Si shiste toka shoferi i Azem Sylës

Në gjykimin ndaj ish deputetit të PDK-ës Azem Syla dhe të akuzuarëve të tjerë për tjetërsimin e kundërligjshëm pronave shoqërore, krim të organizuar, falsifikim vendimesh gjyqësore, shmangie nga tatimi është dëgjuar dëshmitari Habib Cakaj.

Dëshmitari Habib Cakaj, gjatë dëshmisë së tij ka thënë se në Qagllavicë kishte blerë pesë parcela toke në sipërfaqe prej 62 ari e 78 metra, nga i akuzuari Arton Vila në çmim prej 326,450,00 euro.

“Pronësinë për këto parcela e kam verifikuar në  kadastër aty më kanë thënë se pronar i parë ishte Vukashin Steviçi, pastaj Artan Vila, andaj kemi shkuar  në Gjykatën Komunale dhe kemi nënshkruar kontratën për shitblerje. Shumën e parave e kam paguar në ‘’Casabank’’ në Graçanicë pasi e kam marrë listën poseduese”, tha Cakaj.

Cakaj tutje tha se paratë për blerjen e këtyre parcelave i kishte marrë kredi.

I pyetur nga prokurori Naim Abazi se “A ju kujtohet emri Branislav Nikoliç?’’.

Dëshmitari Habib Cakaj deklaroi se “Pasi kam marrë listën poseduese, e kam marrë makinerinë me rregullu vendin e pllacit për vetura. Pas 2 dite ka ardhë Bransilav Nikoliçi me vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij në total prej 20 personave dhe më ka thënë se kjo tokë është e jona pse ke hi këtu. Unë ju kam thënë se nëse keni dëshmi që kjo tokë është e juaja unë menjëherë do t’ua lirojë, ata nuk kishin asnjë dëshmi përveç fjalëve’’.

“Kur njëri nga vëllezërit Nikoliç e ka kërkuar nga unë listën poseduese atëherë unë e kam bërë të pavlefshme duke i shënuar disa vija në të, njëri nga ata ma ka uruar pronën dhe më ka thënë se unë me ty s`kam asgjë personale por këtë punë do ta vazhdojë në gjykatë’’, deklaroi dëshmitari Habib Cakaj.

“Familja Nikoliç më ka paditur dhe ka kërkuar masa të përkohshme ndaj meje, me kalimin e kohës gjykata komunale e ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për këto parcela’’, tregoi dëshmitari Habib Cakaj.

“Për personin Vukashin Steviç, kam dëgjuar vetëm në kadastër. Atje më kanë thënë se pronari i parë ishte Vukashin Steviç, pastaj Arton Vila e pronari i tretë je ti”, tha dëshmitari.

Ai tha se lidhur me shqetësimin me familjen Nikoliç nuk e kishte njoftuar Arton Vilën sepse nuk e kishte parë.

Në fund dëshmitari Habib Cakaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në EULEX.

Në seancën e datës 11 nëntor ishte mbajtur gjykimi edhe pse kishte munguar i akuzuari Avni Maxhuni ndaj të cilit ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

.