
Deputeti Uran Ismaili thotë në gjykatë se nuk ka qenë dëshmitar okular kur u vra roja e lokalit “Bon Vivant”
Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.
Uran Ismaili deklaroi se është njëri nga tre aksionarët në lokalin “Bon Vivant”.
“Në bazë të dokumentacion që është publik unë sipas ligjit mbes dhe jam si aksionar, por jo person në pozicion ekzekutiv, dhe si i tillë nuk jam marrë nuk merrem për çështje ditore, nuk kam përgjegjësi ditore, kjo shihet edhe në dokumentin e biznesit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, tha Ismaili.
Kurse sa i përket ngjarjes qe kishte ndodhur në vitin 2014, në lokalin e tij, Ismaili tha se e kishte njohur të ndjerin Rrahman Uka.
Ndërsa kur u pyet nga mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gërdovci, avokati Naim Rudari, se a kishte qenë lokali i monitoruar nga kamerat, përgjigja e Ismailit ishte shkurt se nuk i kujtohet nëse ka pasur kamera.
Më pas ai tha se në lokal kishte shkuar pasi rasti kishte ndodhur, duke treguar se në vendin e ngjarjes kishte parë të ndjerin të plagosur duke luftuar për jetë.
“Kam shku pasi ka ndodhur rasti, po besoj që ajo fotografia ka mundur të jetë prej kamerave publike. Unë kam ardhur masi kanë mbërri kamerat. E kam pa te ndjerin të plagosur shtritë në terasë jashtë, dhe në atë kohë u prit ambulanta me ardhë. Kam parë një turmë të madhe të njerëzve dhe të ndjerin që luftonte për jetë”, tha Uran Isamili.
Tutje dëshmitari Ismaili tha se nuk kishte qenë dëshmitar okular në vendin e ngjarjes, por vetëm kishte pasur dijeni se i ndjeri Uka ishte vrarë nga dy persona të cilët kishin qenë të armatosur.
“Mendoj se përgjigja ime kishte me qenë hipotetike, se unë s’kam qenë dëshmitar. Unë e di atë çka dini edhe ju publikisht, që në vend te punës është vrarë i ndjeri nga personat që kane qenë me armë”, shtoi Ismaili.
Pas dëshmisë së tij mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Naim Rudari tha se ka vërejtje në dëshminë e dëshmitarit Ismaili, në lidhje me punëtorët e kafiterisë “Bon Vivant” si dhe me kamerat e sigurisë.
Kurse kur i erdhi radha të akuzuarve ta japin mbrojtjen, ata deklaruan se mbrohen në heshtje, ashtu sikurse në gjykimin e kaluar.
Ndërkaq seanca është duke vazhduar ku pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve.
Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.
Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.
Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.
Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.
Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.
Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.
Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Uran Ismaili në vetizolim, përsëri nuk mund të dëshmojë për rastin e vrasjes në “Bon Vivant”