Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Deputeti i jep fund arratisë, dorëzohet në burg

Deputeti Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencioni, sot është paraqitur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Qendrës së Paraburgimit, Isuf Iberdemaj.

Deri sa ishte ne bisedë e sipër me KALLXO.com, Iberdemaj mori njoftimin se deputeti gjendet te porta.

“Deputeti Etem Arifi, për momentin gjendet tek porta e qendrës, ende nuk ka hyrë brenda”, tha Isuf Iberdemaj.

Iberdemaj shpjegoi për KALLXO.com se Etem Arifi do t’i kalojë disa procedura dhe në Qendër të Paraburgimit në Prishtinë mund të qëndrojë nga 1 javë deri në 1 muaj.

“Në qendrën tonë mund të qëndrojë prej një javë deri në një muaj, pastaj varet ku e dërgojnë në Dubravë apo Smrekonicë”, tha Ibërdemaj.

Iberdemaj tha se dërgimi në burg do të bëhet pasi qendra e vlerësimit do ta klasifikojë të dënuarin Arifi.

Në pyetjen e KALLXO.com se cilat kritere merren parasysh për klasifikimin e të dënuarve, Iberdemaj tha se “lartësia e dënimit, a ka qenë më parë i dënuar si dhe disa kritere të tjera”.

Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Pasi që Gjykata Supreme i refuzoi kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë si të pabazuar, dënimi prej 1 viti e 3 muajsh deputetit Arifi, iu bë i plotfuqishëm.

Kujtojmë se i njëjti më 9 mars 2020, është dashur të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit.

Por i njëjti për shkaqe shëndetësore kishte arritur 2 herë të shtyente ekzekutimin e dënimit për nga 2 muaj.

Herën e tretë Gjykata e Prishtinës, i kishte refuzuar kërkesën për shtyerje të dënimit si të pabazuar.

E këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, kur i’a  refuzoi  si të pabazuar ankesën e të dënuarit Arifi.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.