Gjykimi ndaj Glauk Konjufcës dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës më 14.12.2015 | Foto: KALLXO.com/27.11.2024

Deputetët e akuzuar nuk e pranojnë fajësinë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në 2015-tën

Është mbajtur seanca fillestare për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2015.

Të akuzuar në këtë rast janë kryeparlamentari Glauk Konjufca, dhe ish-deputetë dhe deputetë aktualë: Pal Lekaj, Aida Dërguti, Besa Baftiu, Time Kadriaj dhe Teuta Haxhiu.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdrin Krasniqi, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë, duke thënë se ndjehen të pafajshëm për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Paraprakisht gjyqtari Adnan Kamberi njoftoi se për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për të cilën akuzohen Glauk Konjufca, Besa Baftiu, Pal Lekaj dhe Aida Dërguti është arritur parashkrimi absolut.

Parashkrimi absolut nënkupton që të akuzuarit e lartëcekur nuk mund të dënohen apo lirohen lidhur me atë vepër penale, pasi ka skaduar afati për t’i gjykuar.

Tutje gjyqtari Kamberi njoftoi palët dhe mbrojtësit e tyre se kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh për kërkesën për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin e Përgjithshëm me gjyqtar Adnan Kamberi.

Ndryshe kryeparlamentari Glauk Konjufca më 26.02.2024 ishte liruar nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës së mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

Lidhur me rastin e vitit 2016 rasti gjendet për trajtim në Gjykatën e Apelit lidhur me aktgjykimin liures të Konjufcës.

Për çka akuzohen deputetët dhe ish-deputetët?

Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti po akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës për përdorim të armës, pasi sipas aktakuzës, të njëjtit kanë përdorur armë në kundërshtim me ligjin në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, më 14.12.2015.

Ndërsa në orën 11:00, sipas dispozitivit të parë, Aida Dërguti në sallën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht i ka aktivizuar me dorë armët për shpërndarjen e gazit irritues.

Me veprimet si në dispozitivin një të aktakuzës, të akuzuarit në dispozitivin dy ngarkohen se kanë penguar punën e personave zyrtarë – deputetëve të Kosovës.

Ndërsa në dispozitivin tjetër, vetëm Teuta Haxhiu dhe Time Kadriaj akuzohen për armëmbajtje pa leje – armë për shpërndarje të gazit, më 15.12.2015.

Dy të akuzuarat sipas prokurorisë kanë siguruar armët që përdoren për shpërndarje të gazit irritues ku me të hapur mbledhjen në sallë nga kryetari i Kuvendit, Haxhiu pasi ka mbajte në posedim gazin lotsjellës, ia ka dhënë mjetin Time Kadrijajt e cila pastaj ja ka dorëzuar deputetit Pal Lekaj.