Deportimi i 'gylenistëve' – zyrtarja policore thotë se ishte rasti parë që ishin të pranishëm të gjithë eprorët

Seanca ndaj të akuzuarve në rastin e ‘gylenistëve’, ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, dhe drejtorit të Migracionit, Rrahman Syljemani, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

Në këtë seancë dëshmitarja Ajshe Konjusha tha se aksioni i deportimit të shtetasve turq dallonte nga aksionet e mëparshme të largimeve me forcë.

Sipas saj këtë rast e dallonte prezenca e eprorëve të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj (DMH) në aeroport e cila nuk kishte ndodhur në aksionet në të cilat kishte marrë pjesë më herët.

Lidhur me këtë rast si dëshmitarë u dëgjuan edhe 3 zyrtarët policor: Fatmir Krasniqi, Mihrije Uka dhe Rifadije Breznica.

Fatmir Krasniqi tha se ishte në pjesën VIP të aeroportit kur u dërguan shtetasit turq për deportim dhe se i pari nga ta nuk kishte dokumente.

Për këtë Krasniqi tha se e kishte njoftuar kolonelin Rrahman Sylejmani, i cili i kishte thënë se ansjëri nga shtetasit turq nuk posedonin dokumente.

Mihrije Uka në dëshminë e saj tha se ishte pjesë e këtij aksioni dhe ishte urdhëruar nga koloneli Rrahman Sylejmani që shtetasin turk ta bartë nga Drejtoria e Migrimit për në Aeroportin e Prishtinës në pjesën VIP.

Ndërsa dëshmitarja Rifadije Breznica tha se koloneli Rrahman Sylejmani i kishte thënë që në cilësinë e vozitëses të asistoj kolegët dhe ta dërgoj njërin shtetas turk në aeroport.

Në aeroport sipas saj ishte edhe Rrahman Sylejmani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK