Departamenti Special i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Prishtinës, pa staf mbështetës

Udhëheqësit e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Prishtinës, Vaton Durguti dhe Valon Kurtaj, kanë raportuar lidhur me punën e departamentit para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në mbledhjen e 280.

Vaton Durguti, udhëheqësi i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, si sfidë të këtij departamenti ka cilësuar mungesën e stafit mbështetës për gjyqtarët e këtij departamenti, për të cilët ka thënë se punojnë pa mbështetje.

“Ne prej themelimit të departamentit jemi duke punuar pa ndihmën e askujt, saqë shumica prej nesh mos të them gati secili nuk e përfundon punën brenda kohës së punës, por duhet që disa lëndë t’i punojmë në shtëpi”, ka thënë Durguti.

Sa i përket rezultateve të punës së këtij departamenti, Durguti deklaroi se që nga fillimi i pandemisë, ky departament nuk ka ngelur në çështjen e trajtimit të rasteve, dhe sa i preket trajtimit të lëndëve Durguti ka deklaruar se ky departament ka shënuar një rezultat të kënaqshëm.

“Në vitin 2019 sa kanë qenë të pranuara gjithsej 19 lëndë, prej tyre deri në fund të vitit kanë qenë 17 lëndë të zgjidhura brenda 3 muajve dhe kanë mbetur 10 lëndë për vitin pasues, në vitin 2020 janë pranuar 43 lëndë dhe janë zgjidhur 48. Në vitin 2021 janë pranuar 36 lëndë dhe janë zgjidhur aq sa kanë ardhur. Pra situata është mjaftë e menaxhueshme”, ka thënë Durguti.

Durguti ka deklaruar se puna në këtë departament është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe se të njëjtit janë duke pritur vetëm punësimin e zyrtarëve mbështetës, në mënyrë që gjyqtarëve tu lehtësohet puna.

Edhe udhëheqësi i Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës, Valon Kurtaj, sfidë e cilësoi mungesën e stafit mbdështetës.

Kurtaj ka deklaruar se gjyqtarët janë duke punuar pa staf mbështetës.

“Kemi mungesë të stafit, zyrtarëve ligjor dhe bashkëpunëtorëve profesional, si shkak i kësaj na bije të merremi me çështje teknike”, ka thënë Kurtaj.

Kurtaj ka thënë se prej 26 lëndë të shënjestruara të cilat janë të ngarkuara në Departament Special, për periudhën përderisa funksionon ky departament, janë përfunduar 14 prej tyre.

Kurtaj përmendi edhe zgjidhjen e lëndëve të terrorizmit, për çka deklaroi se lidhur me zgjidhjen e këtyre lëndëve është arritur një sukses më i madh, ky është arritur të përfundohen 43 lëndë.