Foto: Kallxo.com

Dënohet për shkak të drogës në burgun e Dubravës

Gjykata e Pejës e ka dënuar me 1 vit burg dhe 250 euro gjobë Adonis Dadale, i akuzuar për posedim të substancës narkotike të llojit marihuanë në sasi prej 0.2 gramë.

Meqenëse ai është në vuajtje të dënimit për vepra të tjera penale, gjykatësi Sylë Lokaj ka bërë unifikimin e dënimeve duke i shqiptuar dënim unik me burgim prej dy vitesh dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Adonis Dadale i është gjetur substanca narkotike brenda burgut të Dubravës në korrik të këtij viti.

Në kohën e kryerjes së veprës, ai ka qenë në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër.

I pandehuri të premten e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Me pranimin e fajësisë janë pajtuar prokurori Ardian Hajdaraj, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Venera Gashi dhe kryetari i trupit gjykues, Syle Lokaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, konfiskohet sasia e substancës narkotike e sekuestruar e cila është urdhëruar të shkatërrohet pas plotfuqishmërisë të aktgjykimit.