Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Dënohet për armëmbajtje zyrtari nga Zyra e Punësimit në Pejë

Gjykata e Pejës e ka gjetur fajtor për armëmbajtje zyrtarin për informim nga zyra e punësimit në Pejë, Sylë Krasniqi.

Krasniqit nga gjykata iu shqiptua dënimi me 500 euro gjobë, e po ashtu konfiskimi i armës pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari Krasniqi paraprakisht e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“E ndiej vetën fajtor, dhe kam qenë unë në pronësi të armës, e pranoj, arma e imja ka qenë”, tha Krasniqi.

Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj, u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke shtuar se pranimi ka mbështetje në provat materiale në shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë ky rast dyshohet të këtë ndodhur më 16 shkurt të vitit 2018 në fshatin Turjakë të Pejës.

Dosja e prokurorisë thotë se policia gjatë një bastisje në shtëpinë e të akuzuarit ka gjetur një arme dhe karikator me 22 fishekë, të gjitha këto në kundërshtim me ligjin për armët.