Foto: Kallxo.com

Dënohet pasi theu me gur xhamat e marketit ku punonte shkaku i pagës

Gjykata në Ferizaj e ka dënuar të riun Nehat Berisha me tre muaj burg me kusht për akuzat për asgjësim e dëmtim të pasurisë.

Nehat Berisha akuzohej se më 3 prill të vitit të kaluar, rreth orës 13:10 kishte gjuajtur me një kubës betoni market-restorantin “Mentori Center” në Ferizaj duke e thyer një xham.

Të hënën, në gjykatën e Ferizajt, Berisha i tha gjyqtares së rastit Hakile Ilazi se këtë e kishte bërë pasi që kishte punuar në këtë ndërmarrje dhe pronari nuk ia kishte paguar ditët e punës.

Gjyqtarja e rastit pas pranimit të fajësisë, e dënoi të akuzuarin me burgim me kusht për tre muaj.

Prokurorja e rastit Ajtene Zoni ia lexoi aktakuzën në të cilën thuhej se me datë 03 prill 2018 rreth orës 13 ; 10 në rrugën ‘’Vëllezrit Gërvalla’’ në Ferizaj pas një mosmarrëveshje rreth pagesës me pronarin e marketit “Mentori” me dashje me një kubëz të betonit thyen xhamin e restorantit të marketit në fjalë.