Shpallja e aktgjykimit ndaj inspektorit të ndërtimit, Taulant Salihaj. FOTO- KALLXO.com

Dënohet me burg inspektori i ndërtimit në Shtime

Një vit burg i është shqiptuar Taulant Salihajt, inspektor i ndërtimit në Komunën e Shtimes.

Salihaj akuzohet nga prokuroria se mori para nga një qytetar për planet e shtëpive që do të ndërtonte dhe se lejoi ndërtime pa leje.

Me këto veprime sipas prokurorisë i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare,

Trupi gjykues i përbërë nga Ibrahim Idrizi,Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci ,e gjetën fajtor Taulant Salihajn dhe përpos dënimit me burg, ai u obligua që të dëmtuarit Haxhi Shabani, t’ia kthej shumën e të hollave prej 1 mijë e 80 euro.

Taulant Salihaj akuzohet nga prokuroria se në muajin shtator 2017 dhe në muajin prill 2018 në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimor në Komunën e Shtimes ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke ia shkelur seriozisht të drejtën e personit tjetër tani të dëmtuarit Haxhi Shabani.

Sipas aktakuzës, Salihaj nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë si dhe 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë , me qëllim që t’i rregullojë dokumentet ndërtimore ndërsa e lejon që t’i ndërtojë dy shtëpi pa i pajisur me leje.

Me ç ‘rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1 mijë e 80 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë  për këtë rast

Sëmuret i akuzuari, dështon seanca për keqpërdorim detyre