Dënohet me burg i akuzuari për vrasjen e para 30 viteve në Deçan

Gykata e Pejës e ka shpallur fajtor Hasan Zenelajn në akuzën për vrasjen e Zekë Ukajt.

Trupi gjykues i përbërë nga Sylë Lokaj, Sami Sharraxhiu e Ahmet Rexhaj, sot e dënoi Hasan Zenelajn me 11 vjet burgim.

Kjo vrasje ka ndodhur në vitin 1989.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelajn se në bashkëveprim më vëllanë e tij, Selim Zenelaj kishin privuar nga jeta Zekë Ukajn.

Selim Zenelaj është dënuar nga Gjykata për këtë vepër penale. Paraprakisht palët në procedurë dhanë fjalën përfundimtare.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi, i propozoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Sipas mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokatit Isa Osdautaj, është vërtetuar se i akuzuari në bashkëkryerje ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa mbrojtësi i palës se akuzuar, avokati Ramiz Krasniqi, tha se asnjë provë e vetme nuk vërteton se i mbrojturi i tij ka marrë pjesë në vrasjen e Zekë Ukajt, duke shtuar se i vetmi aktgjykim që duhet të merret është aktgjykimi lirues.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj në marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e paskrupullt, e kanë privuar nga jeta 25 vjeçarin tani të ndjerë Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989, mes të akuzuarit dhe vëllait të të ndjerit – Hakiut, Zenelajt e kishin përcjellë të ndjerin, ku pasi i ishin afruar nga prapa, i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e Prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj.

Aktakuza thotë se derisa i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.

Vrasja e para 30 viteve në Deçan, dëshmitari rrëfen ditën kritike