Gjykata Themelore në Prizren

Dënohet me burg i akuzuari për ngacmim të 12-vjeçares

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar më dy vite burg të akuzuarit T.TH, i cili akuzohet se ngacmoi seksualisht një 12-vjeçare.

Sipas njoftimit të Gjykatës, më 20 tetor të vitit të kaluar, në orët e mesditës i akuzuari sa ishte me biçikletë iu ishte afruar të dëmtuarës duke e ngacmuar me fjalë.

E dëmtuara gjatë kësaj kohe ishte duke u kthyer nga shkolla në shtëpi.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas pesë ditësh i njëjti i ka dalë përpara të miturës duke e ngacmuar prapë.

“Më datë 25 tetor në orët e mesditës derisa e dëmtuara ishte e vetme, i akuzuari i del para, i bën me vetulla dhe i qeshet në fytyrë”, thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se nga këto veprime, e dëmtuara është frikësuar dhe ka kërkuar një telefon, ndërsa i akuzuari e ka dëgjuar dhe ka ikur nga aty.

Gjykata ka thënë se dënimi i të akuzuarit do të llogaritet nga koha e kaluar në paraburgim apo nga 29 tetori i vitit 2021.

I akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.