Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Dënohet me 4 vjet burgim pasi shkaktoi aksident me fatalitet tek voziste në gjendje të dehur

Luan Lajqi është dënuar me 4 vjet burgim për aksidentin që kishte shkaktuar e në të cilin kishte vdekur një person. Nga Gjykata në Pejë, ai është gjetur fajtor për këtë rast penal.

Lajqi u shpall fajtor pasi u konsiderua se në momentin kritik, ishte duke vozitur në gjendje të dehur duke shkaktuar kështu aksident me fatalitet.

Vepra penale që i vihet në barrë Lajqit është e dënueshme deri në 12 vite burgim, e që shkalla e parë i ka dhënë atij dënimin prej 4 viteve.

Të pakënaqur me këtë vendim janë familjarët e viktimës Mentor Krasniqi, të cilët thanë se do e apelojnë vendimin në shkallen e dytë, për shkak të dënimit shumë të ulët që i është dhënë të akuzuarit.

Natën e 6 shkurtit të këtij viti Mentor Krasniqi, ishte nisur nga vendi i tij i punës për në shtëpi. Por, 45 vjeçari nga Peja përderisa ishte në veturë, ishte goditur nga një veturë tjetër duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin dhe aktakuzën për këtë rast penal.

Dosja e prokurorisë thotë se i akuzuari duke qenë në ndikimin e alkoolit, ka vozitur me shpejtësi prej 117 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 30 km/h.

Po ashtu sipas prokurorisë i akuzuari pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u lajmëruar me vonë në polici.

“ .. i ndjeri M. K., e i cili në ato momente ishte duke u kyçur nga rruga dytësore nga ana e djathtë në rrugën kryesore dhe si pasojë e goditjes edhe gjen vdekjen”, thuhet në dispozitiv të aktgjykimit.

I akuzuari Lajqi në seancën fillestare, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Gjykata me rastin e matjes së dënimit ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.

Si rrethanë lehtësuese, gjykata ka marr pranimin e fajësisë, keqardhjen e shprehur publikisht dhe faktin se me parë i akuzuari nuk ka qenë i dënuar.

Ndërsa si rrethanë rënduese është marrë fakti që i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Derisa rrethana rënduese në pajtim me nenin 69 paragrafi 1 pika 3.7 të KPRK-së, mori sjelljen e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale përkatësisht largimin e tij nga vendi i ngjarjes, i cili nuk tentoj të ndihmojë tani të ndjerin, ta dërgojë në spital apo së paku të lajmërojë emergjencën për t’i dhënë ndihmë”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

Të akuzuarit po ashtu i është shqiptuar dënimi plotësues – marrja e lejes së vozitjes në periudhë kohore prej një viti.

I dëmtuari për realizmin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Gjyqtare e rastit ka qenë gjyqtarja Nushe Kuka – Mekaj, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Haxhi Sinanaj.

Me rastin e ankesës nga pala e dëmtuar dhe prokurori, lënda do të bartet në Gjykatën e Apelit për vendosje.