Prapa grilave - Ilustrim

Dënohet me 4 vite e 6 muaj burgim për pjesëmarrje në grupe terroriste

I akuzuari Nagip Lutfiu, është dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Këtë e ka konfirmuar për KALXO.com avokati i tij, Kadri Begolli.

Sipas aktakuzës së siguruar për KALLXO.com, më 10 shtator 2014, i akuzuari Nagip Lutfiu, me dashje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “Gjabat Al-Nustra”, në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku ka arritur në Stamboll të Turqisë dhe më pastaj përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri.

Në aktakuzë thuhet se duke kaluar kufirin përmes rrugëve ilegale për të depërtuar në Siri, ishte shoqëruar nga i biri i tij dhe një person tjetër nga Gostivari, nga i cili e kishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe municion.

Pas përfundimit të ushtrimeve taktike dhe luftarake, i pajisur me armë të zjarrit të llojit AK-47, Lutfiu kishte marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë.

Lutfiu duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, më pas ishte dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane.

Sipas aktakuzës, më 17 Korrik 2021 përmes Aeroportit të Stambollit i akuzuari është riatdhesuar në Kosovë.