Prapa grilave - Ilustrim

Dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim i akuzuari për terrorizëm

Gjykata e Prishtinës, ka shpallur fajtor K. D. për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Të pandehurit K. D. i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 8 muaj, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndaj të njëjtit është vazhduar edhe masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, mirëpo paraburgimi nuk mund të vazhdojë më gjatë se sa burgimi prej 3 vite e 8 muaj.

Prokuroria Speciale aktakuzën ndaj të pandehurit K. D. e ka ngritur më 7 dhjetor 2021.

Sipas prokurorisë i pandehuri  K. D., së bashku me bashkëshorten e tij ishin bashkuar në ISIS, ndërsa i njëjti ishte arrestuar dhe ishte burgosur nga Forcat Demokratike Siriane, ndërsa më 17 korrik të këtij viti është transferuar në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për aktakuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë Speciale në lidhje me kosovarët të cilët janë rikthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Të njëjtit po ballafaqohen me sistemin e drejtësisë në Kosovë për vepra të ndryshme që lidhen me terrorizëm.