Dënohet me 25 vjet burg gruaja për vrasjen e burrit me sëpatë

E akuzuara S.Z.–S. është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 25 vite burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj, A.S. me sëpatë.

Ajo akuzohet nga Prokuroria se më 21.9.2018, rreth orës 8:30 në banesën e saj në Francë, ku ishin duke jetuar, me dashje e ka vrarë bashkëshortin e saj, duke e goditur me sëpatë të paktën 11 herë në pjesën e qafës.

Sipas Prokurorisë, si pasojë e këtyre goditjeve viktimës i është këputur pothuajse në tërësi koka nga trupi.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, me aktvendim të veçantë të akuzuarës S.Z.-S. i është vazhduar paraburgimi derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Në këtë dënim të akuzuarës i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 5.10.2018 e tutje.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar më herët për këtë rast.

E akuzuara për vrasjen e burrit me sëpatë deklarohet rreth fajësisë

Shtyhet seanca ndaj të dyshuarës se vrau burrin me sëpatë