Foto: Kallxo.com

Dënohet ish-zyrtari i ujësjellësit për gomat e ekskavatorit dhe telefonat mobilë

Vehbi Braha, ish zyrtar financiar i Ujësjellësit në Mitrovicë, është dënuar sot me 2 mijë euro gjobë nga gjykata.

Braha akuzohej nga prokuroria për dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare mirëpo në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur me 10 Janar 2020, prokurori Njazi Rexha ka bërë rikualifkimin e veprës penale duke e cilësuar atë në “keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdim“.

I akuzuari Braha është dënuar me gjashtë muaj burg, mirëpo me kërkesën e tij, gjykata ia ka zëvendësuar në dënim me gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Bekim Veliqi.

Përveç dënimit, Braha është obliguar të paguajë edhe 20 euro për paushallin gjyqësor, 50 euro për shpenzime procedurale dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.

Gjykatësi Veliqi e ka njoftuar të akuzuarin se gjobën prej 2 mijë euro mund ta paguajë në afat prej dy muajsh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Sipas akuzës, Braha, në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar Ferki Behxhetin – shef i mekanizmit, Fahredin Hoti – Vozitës dhe Nexhmedin Berishën – ekskavatorist, për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1,784.00 euro, në D.Z.T “Merovci” në fshatin Dobërlluk.

Në këtë akuzë thuhet se ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit për çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kalojë përmes procedurave të Prokurimit.

Kurse në pikën dy të akuzës thuhet se për Vehbi Brahën ekziston dyshimi i arsyeshëm se në korrik të vitit 2014 po ashtu si zyrtar i lartë financiar në KRU Mitrovicë ka tejkaluar kompetencat e tij.

Këtë sipas akuzës ai e ka bërë duke lidhur për shërbime të telefonisë mobile me IPKO-në me ç’rast kishte bërë dorëzimin e 206 telefonave për zyrtarët e kësaj kompanie, pa kaluar në procedurën e prokurimit.

Sipas akuzës vlera totale e telefonave që ishin dorëzuar më marrëveshjen e arritur për tre vite, arrinte vlerën 6102 euro.

Me këtë veprim kishte kryer veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdim, tashmë të rikualifikuar.

Gjykimi për telefonat dhe gomat e ekskavatorit të ujësjellësit në Mitrovicë, dëshmon ish-kryeshefi

Del para Gjykatës ish-zyrtari financiar i Ujësjellësit, i akuzuar për korrupsion