Komuna e Drenasit - Foto: Facebook/ Komuna e Drenasit
Dënohet ish-asamblisti i Drenasit
Ish-anëtari i Asamblesë Komunale të Drenasit, Ajet Demiri, është shpallur fajtor për veprën penale – konflikt interesi.
Gjykata e Prishtinës Demirin e ka dënuar me gjobë në shumën prej 1.800 euro.
Gjyqtarja Violeta Namani, e cila shpalli aktgjykimin, e njoftoi të akuzuarin se është i obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 200 euro, si dhe në emër të fondit për kompensim të viktimave shumën prej 50 euro.
Sipas prokurorisë, Ajet Demiri akuzohet se në cilësinë e këshilltarit në Asamblenë Komunale në Drenas, gjatë ushtrimit të funksionit të zyrtarit të lartë publik, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete, ashtu që duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-ing”, gjatë viteve 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij ka fituar disa tenderë dhe ka lidhur disa kontrata.
Në aktakuzë thuhet se për këto kontrata, Demiri ka autorizuar që me kompaninë e tij të administrojë dhe menaxhojë Florije Ismajli, me të cilën edhe bashkëjeton dhe e njëjta i ka nënshkruar këto kontrata por në njoftimin për dhënien e kontratës nga autoriteti kontraktues i Komunës së Drenasit, është i shkruar emri i Ajet Demirit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit.