Ilustrim

Dënohet inspektori tatimor që u kap duke marrë ryshfet

Inspektori tatimor i ATK-së, Lavdim Rexhepi, është shpallur fajtor të premten nga Gjykata në Prishtinë për veprën penale të ryshfetit.

Gjykata i ka shqiptuar dënimin me burg prej gjashtë muajsh dhe një gjobë prej 3,000 euro, ashtu siç ishte përcaktuar edhe me marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Sipas gjyqtarit të rastit, Lutfi Shala, me pëlqimin e personit të akuzuar, është vendosur që dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh të zëvendësohet me gjobën prej 1,500 euro. Nëse gjoba nuk paguhet, ajo do të zëvendësohet me dënim me burg.

Rexhepi i është mundësuar që gjobën ta paguajë në katër këste.

Lavdim Rexhepi e kishte pranuar fajësinë për veprën të cilën i vihet në barrë.

“E ndjej veten fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohem”, kishte thënë ai.

Prokuroria kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me të pandehurin e cila ishte aprovuar edhe nga gjyqtari Lutfi Shala.

Sipas aktakuzës Lavdim Rexhepi në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Prishtinë, në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi.

Inspektori i ATK-së e pranon se mori ryshfet

Tutje në aktakuzë thuhet se ai kishte marrë nga e dëmtuara dy herë shumat prej 30 euro dhe 300 euro, pasi që e dëmtuara Krasniqi kishte obligime tatimore rreth 6,000 euro në ATK.

Aktakuza thotë se Rexhepi i kishte premtuar Krasniqit korrigjimin e deklaratave tatimore për biznesin e të dëmtuarës, ndërsa më 24 nëntor 2018, në parkingun qe gjendet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë,  gjatë zbatimit të masës së fshehtë, ka marrë edhe shumën prej 300 euro nga e dëmtuara Krasniqi. Pas marrjes së parave, ai ishte ndaluar nga Policia, e cila ka qenë duke zbatuar masa të fshehta hetimore ndaj Rexhepit.