Rasim Demiri

Dënohet deputeti që gjuajti me armë

Pasditen e datës 30 mars deputeti Rasim Demiri e kishte shfrytëzuar për të gjuajtur me pushkë në shënjestër në fshatin Pouskë të Prizrenit.

Sot i njëjti para Gjykatës pranoi fajësinë për veprën penale përdorim i armës, ndërsa një ditë para se të paraqitet para Gjykatës deputeti Demiri kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.

Gjyqtarja e rastit Ajser Skenderi deputetin Rasim Demiri e shpalli fajtor dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Dënimi me burgim me kërkesë dhe pëlqimin e të akuzuarit Rasim Demiri u zëvendësua me dënim me gjobë në shumën prej 900 euro.

I bashkë akuzuar me deputetin Demiri është edhe Mersit Pangji i cili pranoi fajësinë për dy vepra penale, mbajtja në pronësi të armës dhe përdorim i armës.

Të njëjti iu dha dënim me gjobë në shumën prej 1,100 euro.

Të dy të akuzuarit e kanë të drejtën e ankesës për lartësinë e gjobës, ndërsa pos dënimit me gjobë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të paguajnë edhe nga 50 euro për shpenzime gjyqësore dhe nga 50 euro do të detyrohen t’i paguajnë edhe për programin për kompensimin e viktimave të krimit.

E përbashkëta e dy të akuzuarve ishte se që të dy u deklaruan të gjendjes së mesme ekonomike, pavarësisht se Rasim Demiri në të kaluarën ka mbajtur edhe pozitën e Ministrit në Qeverinë Haradinaj, dhe që disa mandate mban pozitën e deputetin në Kuvendin e Kosovës ndërsa i bashkë akuzuari Mersit Pangji tha se është shofer me profesion.

Sipas Prokurorisë, deputeti Rasim Demiri dhe i bashkë akuzuari Mersit Pangji më 30 mars kishin dalë në një fushë dhe kishin vendosur një shënjestër për të gjuajtur me pushkë gjysmë automatike.

Rasim Demiri akuzohet për veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa i bashkë akuzuari Mersit Pangji akuzohet për dy vepra penale, mbajtja në pronësi kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve, respektivisht të pushkës gjysmë automatike dhe 19 fishekë të kalibrit të panjohur, dhe për veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ditën kur kishte ndodhur ngjarja deputeti Demiri nëpërmjet një video live në profilin e tij në Facebook thënë se nuk ka lidhje me rastin ndërsa është shprehur se Ramush Haradinaj e ka telefonuar pak minuta pasi janë publikuar lajmet për arrestimin e tij.

“Po ju drejtohem për t ‘ju njoftuar për disa lajme të rreme për të cialt sapo u njoftova, por vet nuk arrita ti lexoj, e i pari që më ka thirre ishte ish – kryeministri Ramush Haradinaj që të më pyet drejtpërdrejt për disa lajme për arrestimin tim “ kishte thënë Demiri.

Ish-ministri i arrestuar për përdorim armësh, thotë se u telefonua nga Ramush Haradinaj