Foto: KALLXO.com

Dënohet biznesi dhe personi përgjegjës i biznesit për ndotje e degradim të mjedisit

Gjykata e Pejës i ka gjetur fajtor biznesin “Q.P” dhe personin përgjegjës të atij biznesi, L.Q. për vepër penale-ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

Ata janë gjetur fajtor pasi pa pas licencë nga KPMM kanë shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme resurset minerare të rërës dhe zhavorrit.

Personi juridik “Q.P.” është dënuar me 1,000 euro gjobë, ndërsa i akuzuari L.Q. si person përgjegjës i personit juridik është dënuar me 300 euro gjobë.

Gjyqtar i çështjes është gjyqtari Murat Hulaj, ndërsa prokurori që ka ngritë aktakuzën, prokurori Ersan Qavolli.

Sipas aktakuzës kompania në kohë të panjohur e në vazhdimësi gjerë në tetor të vitit 2020 në fshatin Loxhë duke vepruar në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste nxjerrja e zhavorrit, e pa pasur me licencë nga KPMM, janë angazhuar në aktivitet minerar duke shfrytëzuar resurset minerare të rërës dhe zhavorrit në mënyrë të kundërligjshme.

Dosja e prokurorisë thotë se sasia e mineraleve të shfrytëzuara është 1,732.30 m3, ndërsa dëmi i shkaktuar është në vlerë prej 1,327 euro.