Dënohen Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi

Gjykata e Prishtinës i ka dënuar Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

Të akuzuarve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, tha gjyqtarja Medie Bytyqi.

Sipas aktakuzës, për ta mashtruar Dalladakun, të akuzuarit kanë përmendur lidhjet që ata pretendonin se kishin me Kadri Veselin e Xhavit Halitin, kryetarin, respektivisht nënkryetarin e PDK-së.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve. Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga gjyqtarja e vetme gjykuese, Medie Bytyqi, pranë Departamentit të Përgjithshëm, Divizioni Penal.

Ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja e shtetit, Rukije Sheshivari.