Dënohen me nga 100 euro aktivistët për shkak të mbishkrimeve feministe

Katër aktivistët e të drejtave të grave janë dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me nga 100 euro gjobë. Ata u dënuan pasi në objektin e Gjykatës në Mitrovicë shkruajten grafitin “haram osht mi mshelë gratë”, në mbrojtje të grave dhe kundër dhunës gjinore në Kosovë.

Aktivistët e të drejtave të grave ditë më parë kishin shkruar nëpër muret e ndërtesave edhe disa mbishkrime tjera si: “haram është mi mshel gratë”, “ virgjiniteti është shpikje e burrave”, “dhunuesit e grave në burg”, “gruaja e ka vendin ku të dojë”, “gruaja nuk o rob i burrit”, “trupi jem e drejta jem”, për çka u dënuan me nga 100 euro gjobë.

Gjykata e Mitrovicës ka gjetur se mbishkrimet e katër aktivistëve janë shkelje e rendit publik për të cilat parashihet dënim me gjobë.

Policia e Mitrovicës më 25 prill 2021 rreth orës 20:00 kishte gjetur katër aktivistët duke shkruar me sprej ngjyrë të kuqe mbishkrimin “haram osht mi mshelë gratë” në objektin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ish ‘Jugobanka’, ndërsa mbishkrime kishin bërë edhe në objekte të tjera.

Katër aktivistët janë udhëzuar me të drejtën e tyre për ankesë ndaj aktgjykimit në afat prej 8 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Seanca për çështje gjyqësore ishte mbajtur më 24 shtator ku kishin dhënë deklaratë 3 nga katër aktivistët e akuzuar.