Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi në Gjykatë - 30.12.2020 - FOTO: Elona Sejdullahu - KALLXO
Dënohen me burg për afera korruptive ish-hetuesit e korrupsionit
Ish-hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Lavdim Osmanaj dhe Lutfi Menxhiqi, janë dënuar për afera korruptive nga Gjykata e Prishtinës.
Osmanaj është dënuar me 6 vite e 6 muaj burgim ndërsa Menxhiqi është dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni.
“Gjykata ndaj të pandehurit Lavdim Osmanaj ka shqiptuar dënimin unuik prej 6 vite e 6 muaj burgim si dhe dënimin me gjobë prej 4 mijë euro ndërsa të akuzuarit Menxhiqi i ka shqiptuar 5 vite e 6 muaj burgim si dhe 4 mijë euro gjobë”, deklaroj gjyqtarja.
Ata u shpallën fajtorë pasi Gjykata e Prishtinës vlerësoi se kishin pranuar ryshfet në mënyrë që të mos vepronin sipas detyrës zyrtare, përkatësisht të mos ndërmerrnin veprime hetimore.
Sipas aktakuzës, ata kishin arritur marrëveshje me D.H. që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.
Sipas Prokurorisë dy hetuesit ishin takuar me D.B. dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D.H., me ç ‘rast së bashku kanë arritur marrëveshje se nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kishin premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit.
Përpos saj, Osmanaj akuzohet edhe se i kishte marrë edhe 3 mijë euro ryshfet nga dëshmitari D.H., para të cilat dëshmitari i kishte marrë paraprakisht nga dëshmitari M.M. në një nga restorantet në rrugën Prishtinë – Lipjan.
Ai akuzohet edhe se nën masat e simulimit të veprës penale i kishte pranuar para dhe menjëherë pasi kishte dalë nga vetura ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Ndryshe nga Osmanaj, ish-polici Menxhiqi akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi e kishte njoftuar paraprakisht dëshmitarin D.H. se Policia kishte filluar kontrollin për lojërat e fatit në Fushë-Kosovë.
Menxhiqi u akuzua edhe për armëmbajtje pa leje.
Lidhur me këto akuza ndaj dy hetuesve të korrupsionit u shqiptuan mbi 12 vite burgim.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.
www.kallxo.com