Gjykimi për drogë - Foto: KALLXO.com

Dënohen me burg e gjobë 2 të akuzuarit për drogë

Gjykatësi Kujtim Krasniqi ka gjetur fajtorë për posedim të drogës Agron Zogajn dhe Alban Morinën dhe i ka dënuar me burg dhe gjobë.

Paraprakisht, të akuzuarit kishin hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.

Të akuzuarin Agron Zogaj, Gjykata e dënoi me burgim prej 1 viti e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Ndërsa të akuzuarin Alban Morina e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 10 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Gjykata të akuzuarit Agron Zogaj i ka mundësuar që dënimin me gjobë ta paguajë në 4 këste ndërsa të akuzuarit Alban Morinës me 5 këste.

Gjykata i njoftoi të akuzuarit se në rast se nuk e paguajnë gjobën do t’u zëvendësohet dënimi më burgim duke u llogaritur 20 euro gjobë për një ditë burgim.

Gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues – konfiskimin e substancave narkotike me peshë 88.9 gramë, një telefon ‘Nokia’, një telefon ‘iPhone’, një telefon ‘Samsung J6’ dhe paratë në shumën prej 650 euro të gjetura tek Agron Zogaj.

Gjykatësi Krasniqi i udhëzoi të akuzuarit në të drejtën e tyre për të paraqitur ankesë kundër aktgjykimit në Gjykatën e Apelit.