Dënohen katër të akuzuar për incidentin me armë në Pejë

Gjykata e Pejës sot ka shpallur fajtorë 4 të akuzuar për incidentin e 10 nëntorit të vitit të kaluar që kishte ndodhur në qendër të qytetit të Pejës.

Sipas komunikatës të Gjykatës, i akuzuari Leonard Krasniqi është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg, i akuzuari Vetim Krasniqi me 1 vit burgim dhe 1,000 mijë euro gjobë.

Ndërsa i akuzuari Azem Ukaj është dënuar me burgim prej 1 vit e 9 muaj, i akuzuari Atdhe Ukaj është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim nuk do te ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës 1 vjeçare nuk kryen vepër të re penale.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës akuzon Leonard Krasniqin se më 10 nëntor 2019 në Pejë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Azem Ukaj, si dhe ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Atdhe Ukaj dhe qytetarëve tjerë në rrugë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se rasti kishte ndodhur për shkak të problemeve të mëhershme ndërmjet tyre, ku në afërsi të marketit “Minimax”, me të takuar të dëmtuarin, i akuzuari Leonard Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe prapa veturës së të dëmtuarit kishte shtënë njëherë me armë, e pastaj kishte dalë nga krahu i djathtë i veturës ku kishte shtënë katër herë në drejtim të tij, por nuk kishte arritur ta qëllojë.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë dhe atë të armëmbajtjes pa leje.

Ndërsa Vetim Krasniqi akuzohet se e ka ndihmuar të pandehurin Leonard Krasniqi në kryerjen e tentim vrasjes ndaj të dëmtuarit Azem Ukaj, pasi të njëjtin thuhet se e ka pajisur me armë të prodhimit jugosllav, kalibër 7.62, e pastaj me veturën  e tipit “BMË”.

Prokuroria e Pejës e akuzon të pandehurin Vetim Krasniqi edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi në kundërshtim me ligjin për armët kishte mbajtur një pistoletë të tipit “C.Zastava”, kalibri 7.65 mm.

Azem Ukaj akuzohet se pasi kishte qenë i sulmuar me armë nga i pandehuri Leonard Krasniqi, me dashje dhe me armë zjarri i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Kushtrim Krasniqi, duke shtënë njëherë në pjesën e poshtme, duke e plagosur të dëmtuarin në këmbën e djathtë.

Ndërkaq, Atdhe Ukaj akuzohet se me dashje kishte përdorur forcë ndaj të dëmtuarit Kushtrim Krasniqi, të cilin e sulmon fizikisht duke e goditur dy herë në pjesën e pasme të trupit.